Uzuni rrëfehet në Hungari: Dua të jem kampion në Hungari

Ky ishte padyshim viti i Myrto Uzunit sa i përket lojtarëve shqiptarë, atje ku sulmuesi arriti që të ishte protagonist për ta dërguar ekipin e Ferencvaroshit në “Champions League”. Si kjo të mos mjaftonte, menjëherë pas kthimit për shkakun e mungesës nga infektimi me pandeminë, Uzuni do të tundte rrjetën e Juventusit.

Idhulli i tij vazhdon të mbetet Kristiano Ronaldo, por të paktën në 90 minuta gjendej me të në fushë si kundërshtar dhe u vlerësua me notë më të lartë. Kaq mjafton dhe duhet të kthejmë kokën mbrapa për të kuptuar sesi i ka ngjitur shkallët ky lojtar. Në një intervistë të fundit për “Nemzetisport”, Uzuni kujton njëkohësisht edhe sakrificat e bëra dikur vetëm për të mbërritur në “Champions League”. Gjithashtu një koment e ka edhe për shortin e Shqipërisë, duke i paralajmëruar në Hungari se miqësia nuk do të tregohet në fushë.

“Fanella e Ronaldos? Sapo erdha në shtëpi nga Torino, e vura menjëherë në murin e dhomës sime dhe sigurisht që kishte një vend të veçantë. Kur të gjej kohën ndoshta do ta bëj edhe kornizë. Ishte një nga ndeshjet më të mira të ekipit tonë dhe ishim shumë afër marrjes së një pike në shtëpinë e Juventusit. Unë kam shënuar një nga golat më të rëndësishëm të jetës sime në Torino, vështirë se mund ta harroj atë mbrëmje. E pabesueshme që të luaja kundër idhullit tim të fëmijërisë, është futbollisti im i preferuar dhe gjithmonë e ëndërroja që një ditë të gjendesha kundër tij në fushë.

Por fakti që shënova një gol dhe më dha fanellën pas ndeshjes, ishte përtej imagjinatës. Gjatë viteve të fundit kam besuar se mund të arrij në “Champions League”, për të luajtur me më të mirët. Nuk e harroj qëllimin tim. Mbaj mend kur isha më i vogël, u zgjova më shumë se njëherë në gjashtë të mëngjesit për të shkuar që të bëja vrap. Nuk më shqetëson fytyra ime e ngrirë dhe e bërë e kuqe nga i ftohtë deri sa shkoja në shtëpi. E dija shumë mirë: “Nëse do Champions League, kjo është më e pakëta”.

Tani dua të jem një kampion hungarez, të fitoj Kupën e Hungarisë dhe të kthehemi më fortë në “Champions League” në vitin tjetër. Më pëlqen shumë edhe kryeqyteti në Hungari. Më parë kam luajtur edhe në Kroaci, jo për mirësjellje, por më pëlqen më shumë Hungaria. Familja ime ka qenë për vizitë këto kohët e fundit, kisha babain, mamanë dhe vëllain që e kanë pëlqyer vendin. Shorti për kualifikueset e Botërorit? Për mua hungarezët janë miqtë e mi, por nuk ka vend për miqësi në këto takime. Do të ketë beteja me emocione ku anglezët do të spikasin, të ndjekur nga Polonia dhe Hungaria, por as Shqipëria nuk është e dobët”, tha Uzuni. /Sport Ekspres/

Gjilani ju kthehet fitoreve

Mesfushori shqiptar gol dhe asist në Serie B (video)