Lala me superlativa për Çepelen

Ndonëse vetëm 17 vjeç, Ramen Çepele është për herë të dytë radhazi pjesë e Kombëtares Shqiptare, pasi trajneri Edi Reja beson shumë te ai dhe dëshiron ta përfshijë gradualisht në grupin kuqezi.

I lindur në rajonin e Venetos në Itali, por me prindër shqiptarë, Çepele ka qenë pjesë e ekipeve të moshave të Interit deri pak ditë më parë, kur vendosi t’i bashkohet Hannoverit në Gjermani, transferim në të cilin pati jo pak ndikim edhe ish kapiteni i Shqipërisë, Altin Lala.

Ky i fundit ka luajtur për disa sezone me Hannoverin dhe në një intervistë për mediat gjermane ka folur me superlativa edhe për Çepelen, duke e cilësuar një futbollist me të ardhme të ndritur përpara, shkruan supersport.

“Mendoj se ka një të ardhme të ndritur përpara. Presidenti i Hannoverit, Martin Kind ka thënë se nëse nuk do të funksionojë, do të jetë një telash që askush nuk e dëshiron. Shumë shpejt Çepele do të debutojë edhe me skuadrën e parë, për t’u përfshirë gradualisht në futbollin profesionist’, deklaroi Lala.

Më pas ish kapiteni i Kombëtares Shqiptare, i cili ka çuar më herët në Gjermani edhe një sulmues si Milot Rashica, ka zbuluar edhe cilësitë që disponon Çepele, për të cilat është vlerësuar maksimalisht edhe nga trajneri Edi Reja.

“Reja e ka ndjekur prej një viti dhe tani mund ta impenjojë në Kombëtare, për ta bërë lojtarin më të ri që mbron ngjyrat kuqezi. Ka shumë gjasa që të bëhet një profesionist i madh, pasi është shtatlartë, di të hapë mirë lojën, ekzekuton shumë mirë goditjet standarde dhe luan në mënyrë shumë të zgjuar. Interi kërkoi t’i rinovojë kontratën, por ai vlerësoi transferimin te Hannoveri, pasi babai i tij është fans i futbollit gjerman”, u shpreh Lala.

Miqësorja: Shpresat sot luajnë përballë Tiranës

Kombëtarja zhvillon stërvitjen e fundit në Kazakistan