Zyrtare: Donis Avdijaj zgjedh Kosovën

aSport– Një prej pritjeve më të gjata ka marrë fund: Donis Avdijaj zgjedh të luajë për përfaqësuesen e Kosovës. Talenti i Schalke 04 prej vitesh synohej nga Shqipëria por rrethana të ndryshme nuk e bënë asnjëherë të mundur debutimin e tij me fanellën kuqezi.

Zgjedhjen e 20-vjeçarit për të luajtur me Kosovën e bëri publike në sitin e saj zyrtar edhe Federata e Futbollit të Kosovës pak orë më parë:

“Donis Avdijaj është futbollisti i radhës që iu ka bashkuar Përfaqësueses së Kosovës. Avdijaj ka udhëtuar në Antalya dhe tashmë është së bashku me pjesën tjetër të Përfaqësueses. Megjithatë, Donisi nuk e ka kompletuar ende dokumentacionin e nevojshëm dhe si rrjedhojë nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Albert Bunjaki për ndeshjen e së shtunës kundër Turqisë. Sidoqoftë, ardhja e tij është një sinjal i mirë për të ardhmen e Përfaqësueses, pasi bëhet fjalë për një futbollist të talentuar dhe cilësor. Ai edicionin e kaluar luajti në skuadrën austriake, Sturm Graz, si i huazuar, derisa është nën kontratë me skuadrën gjermane, Schalke. Avdijaj pritet të ketë të drejtë paraqitje për Kosovën duke filluar nga ndeshjet e marsit.”

Në një intervistë të dhënë për aSport në qershor, vetë Avdijaj deklaronte se ende nuk kishte marrë një vendim përfundimtar, nëse do të luante me Shqipërinë apo do të përfaqësonte Kosovën, duke theksuar:

“Vendimin e kam marrë, dua të luaj për kombin tim. Kombi im është Shqipëria dhe unë e kam thënë publikisht që dua të luaj për të, por kur jam shprehur kështu, Kosova nuk ishte pranuar ende në FIFA.”

 

You must be logged in to post a comment Login