Vllaznia fiton ndaj Bylisit, Laçi prish festën e Skenderbeut

Vllaznia mposht 1-0 Bylisin dhe rimerr e vetme kreun e Kategorisë Superiore pas javës së 6-të. Një gol i Eni Imamit në fillimin e pjesës së dytë ishte mëse i mjaftueshëm për shkodranët për të thyer ballshiotët dhe për t’u ngjitur në kuotën e 13 pikëve. Ishte një Vllazni më kërkuese ajo që zbriti në fushën e Loro Boriçit, edhe pse në stol nuk kishte trajnerin Brdaric i cili e ndoqi këtë sfidë nga shtëpia për shkak të një problemi shëndetësor por ndihmësin e tij Elvis Plorin. Vllaznia pati dy mundësi të mira edhe në pjesën e parë, me Dungën dhe Herald Markun që u ndal nga traversa, teksa ishte pranë realizimit të një goli spektakolar.

Në fillimin e fraksionit të dytë një krosim nga këndi u shfrytëzua në maksimum nga Imami që në shtyllën e parë gjeti goditjen fituese me kokë për të kaluar në epërsi Vllazninë, epërsi të cilën skuadra shkodrane e menaxhoi shumë mirë deri në fund. Barazim 1-1 ndërkohë në ndeshjen tjetër atë mes Skënderbeut dhe Laçit që u zhvillua në Korçë. Uerdi Mara talenti korçar me një supergol në versionin Bledi Shkëmbi i dha epërsinë Skënderbeut në minutën e 71-të, avantazh që u arrit nga goli i Dave Harmon që i ardhur në fushë nga stoli realizoi në minutën e 92-të duke i evituar humbjen Laçit. Me këtë barazim Skënderbeu u ngjit në kuotën e 5 pikëve, 2 më pak se Laçi i Stavri Nicës që numëron 7 të tilla

Gjilani nuk mundet pa Mezanin, Drenica futet në krizë

Reja për FIFA.com: Shqipëria mund të bëjë gjëra të mëdha