Vlerësimet / Java e shqiptarëve në Serie A

aSport– I pari nga futbollistët shqiptarë që zbriti në fushë në javën e fundit të Serie A, qe Elseid Hysaj, në barazimin Napoli 1-1 Lazio. Vlerësimet e mediave italiane për mbrojtësin:
Tuttomercatoweb: “6 Ndeshje e rregullt, e mbyllur me 91% saktësi në pasime dhe shumë veprime sulmuese. Rrezikon një herë me Immobile-n por në përgjithësi ndeshja është pozitive.”
Eurosport Italia: “5,5 Disa pasime të gabuara dhe vështirësi në mbulimin e Immobile-s. Rast për të shënuar nga jashtë zone, por Marchetti i thotë jo.”
Në përballjen Pescara 0-4 Empoli u ndeshën mes tyre 3 futbollistë shqiptarë: Ledian Memushaj e Rei Manaj për vendasit dhe Frederic Veseli për miqtë. Vlerësimet për Ledian Memushaj:
Calciomercato.it: “6 Ndër më të mirët e Pescara-s. Dallon në mesfushë dhe jep disa pasime të sakta.”
Eurosport Italia: “5 Kundërsulmet e Empoli-t nisin pas gabimeve në mesfushë, disa edhe prej tij. Përgjegjës edhe për ndihmën e pakët për repartin e mbrojtjes.”
Vlerësimet për Rei Manaj:
Calciomercato.it: “5 Bie në sy vetëm kur del nga fusha edhe pse në pjesën e parë i mohojnë një penallti.”
Eurosport Italia: “5,5 E nis me vrull të madh. Më pas, me pësimin e golave, ul ritmin ashtu si e gjithë skuadra.”
Vlerësimet për Frederic Veselin:
Calciomercato.it: “6 Ndeshje e ekuilibruar. Nuk shtyn përpara por në mbrojtje është i kujdesshëm.”
Eurosport Italia: “6 Disa veprime të sakta në mbrojtje, shtyn pak në fazën sulmuese.”
Atalanta vijon të fitojë e të jetë në zonën e Europës në klasifikim, por nga fitorja e djeshme 0-3 në transfertë ndaj Sassuolo-s, mediat italiane cilësojnë paraqitjen e Etrit Berishës si një ndër më negativet në javët e fundit:
Tuttomercatoweb: “5,5 Ndërhyn me vonesë ndaj Defrel dhe rrezikon penalltinë, por falet nga arbitri. Del me rrjetën e paprekur edhe kësaj radhe.”
Eurosport Italia: “5 E vetmja notë e stonuar te Atalanta. Paraqitja e tij karakterizohet nga pritje e kontrolle topi të pasigurta dhe një faull penalltie që falet.”

 

You must be logged in to post a comment Login