Vlerësimet e javës së parë të kampionatit

aSport– Kampionatin e pritëm aq shumë, duke qenë se nisi më 7 shtator (kur zakonisht fillon në fundjavën e parafundit të gushtit), sa që për t’u dukur akoma më interesant në sytë tonë na dhuroi vetëm…4 gola. Në 5 ndeshje. 3 prej të cilave u ndanë në barazime 0-0. Gjysmën e golave të javës së parë i shënoi një lojtar i vetëm: Hamdi Salihi, 2. Mesa duket kategoria superiore është kursyer në këtë javë të parë dhe spektaklin do na e dhurojë në vijim. Presim.

Korabi-Laçi qe një ndeshje e vakët, ndikuar ndoshta edhe nga mungesa e tifozëve nëpër tribuna (dibranët janë të dënuar të luajnë pa praninë e publikut). Laçi ende nuk është formatuar plotësisht si skuadër duke qenë se gjysmën e lojtarëve që e përbënin vitet e fundit ja dha në verë pikërisht Korabit. Dibranët nga ana e tyre kanë elementë cilësorë në dispozicion, por të ardhur vonë në skuadër dhe ende të pamësuar me mekanizmat e trajnerit Mërgjyshi. Hyrja në lojë e dy prej tyre, si Nexhipi dhe Sebino Plaku, ndryshoi pamjen sulmuese të Korabit dhe skuadra u shfaq rrezikshëm përpara.

Spikati: Sebino Plaku. Vlerë e padiskutueshme për një realitet të vogël si Korabi. E paimagjinueshme sesi vetëm dy sezone më parë, një skuadër që mund të kishte në skuadër Plakun e Nexhipin do të synonte me patjetër titullin. Koha kalon për të gjithë.

Skënderbeu-Flamurtari konfirmoi përvojën dhe elementët në dispozicion të korçarëve për të zgjidhur edhe ato ndeshje që duken të komplikuara. Salihi shënon sa herë i jepet mundësia ndërsa Mici nga krahu i majtë është një vlerë e shtuar për një skuadër që ishte e plotë edhe pa të. Për të gjetur një mangësi, mund të jetë mungesa e Shkëmbit: pesha e tij në skuadër por edhe ndihma që i jepte Lilajt në organizimin e lojës. Flamurtari vuan përpara dhe gabimet e djeshme qenë individuale.

Spikati: Hamdi Salihi. E nisi sezonin e ri ashtu si mbylli të mëparshmin: duke shënuar. Në formë të mirë edhe Radas, i cili e organizon lojën e korçarëve që nga prapavija. Te Flamurtari dalloi Donjet Shkodra. Përveç golit të shënuar u pa edhe luftarak e mjaft i lëvizshëm në mesfushë.

Për t’u riparë: Tomislav Bušić. Sulmuesi kroat që dalloi te Vllaznia përpara tre sezonesh, rikthehet në kampionatin tonë për llogari të Flamurtarit. Komplet jashtë loje dhe i pa shërbyer nga shokët e skuadrës

Luftëtari-Partizani tregoi në fushë një lojë të barabartë të të dyja skuadrave. E çuditshme për faktin se Partizani pretendon të fitojë titullin ndërsa gjirokastritët luftojnë për mbijetesë. Të kuqtë e gjetën golin në minutat shtesë të takimit pas një penalltie të kontestuar. Mesfusha e Partizanit qe e paqartë, në sulm Ekuban tregoi që nuk është i përshtatshëm për të bërë “pykën” ndërsa në mbrojtje la për të dëshiruar Ibrahimi nga krahu i djathtë. Bëri përshtypja lënia jashtë formacionit e Ramadanit, Filit e Bardhit, të rinj në moshë por që spikatën me lojën e tyre në Europë (protagonistë të padiskutueshëm në kualifikimin me Ferencvaros). Torassa qe në një ditë “jo”, ndërsa Batha e Trashi kanë mangësi në momentin kur përpiqen të organizojnë lojën. Italiani Bertoni u duk si “mish i huaj” në formacionin e të kuqve. Nga ana tjetër Luftëtari bëri atë që çdo ekip që synon mbijetesën duhet të bëjë: u tregua i kujdesshëm dhe herë pas here tentoi të niset në sulm falë aftësive të angolanit Satonho dhe vlonjatit Bregu.

Spikati: Jurgen Bardhi. Të lë përshtypjen e një lojtari që rezulton deçiziv kur futet në lojë si zëvendësues. E bëri këtë në Hungari ndaj Ferencvaros, e përsëriti në Elbasan ndaj Luftëtarit. Fiton penalltinë dhe krijon hapësira për shokët e skuadrës.

Për t’u riparë: Labinot Ibrahimi. Ka mangësi teknike dhe mundohet ta mbulojë me grintën dhe lojën e fortë. Kur nuk arrin të përdorë mirë dy cilësitë e fundit, dalin më shumë në pah problemet që ka kur zotëron topin. Me të në lojë, Partizani vuajti shumë djathtas.

Teuta-Tirana, një ndeshje e vakët në episode, ashtu si e gjithë java e parë e kategorisë superiore. Barazimi qe një rezultat i drejtë, por të dy ekipet patën mundësitë e tyre, duke goditur nga një herë shtyllën, respektivisht me Maganin dhe Asion Dajën. Teuta tregon lojën e kujdesshme që shfaqi gjatë sezonit të kaluar ndërsa Tirana vuan mungesën e një sulmuesi të mirëfilltë dhe problemet fizike të lojtarëve “kyç” në mesfushë. Me barazimin të dyja skuadrat duken të kënaqura dhe presin kalimin e javëve për të konsoliduar paraqitjet, por turneu nuk do vijojë të jetë kaq i butë sa në raundin e parë.

Për t’u riparë: Erjon Vucaj. Shkodrani është shumë larg formës së shfaqur gjatë sezoneve që u aktivizua me Laçin. Kur mendohej se mund të ishte një plus për Tiranën në mesfushë, 26 vjeçari tregon apatinë e shfaqur edhe në kampionatin e kaluar.

Vllaznia-Kukësi shfaqi lojën më interesante të javës së parë. Ranë në sy dyluftimet e forta në mesfushë (Krymi-Musolli) dhe elementët e rinj që Vllaznia prodhon vit pas viti. Lojtarë si Vecaj, Bardulla, Marku, Krymi, shumë shpejt mund të bëhen emra të rëndësishëm të kampionatit. Mos të harrojmë që mungonin Kalaja e Çinari. Kukësi u duk shumë i varur nga Pejiç e nëse ai nuk shënon, skuadra e ka të vështirë të xhirojë. Qarkullimi i topit nga ana e shkodranëve mori përggjigje edhe nga kuksianët e detyrimisht loja arriti një ritëm të pëlqyeshëm për sytë e publikut. 

Spikati: Uendi Vecaj. Zëvendësoi Shtubinën në minutën e 77’ dhe tregoi cilësi në kohën që pati në dispozicion. Një mëngjarash që vepronte nga e djathta duke krijuar pështjellim në mbrojtjen kuksiane. 19-vjeçari tentoi edhe portën nga distanca. Nëse dita duket që në mëngjes, në Shkodër kanë fituar një tjetër element cilësor.

Trajneri i javës: Armando Cungu. I jep besim lojtarëve të rinj dhe mbështet lojën e bukur me qarkullim topi. Është viti i dytë që drejton Vllazninë dhe me atë që shkodranët shfaqën në javën e parë, mund të jenë surpriza pozitive e këtij kampionati.

You must be logged in to post a comment Login