Tirana mposht Apoloninë, Bylis hjen fitoren e parë në kampionat

Tirana merr fitoren e dytë radhazi, këtë herë me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Apolonisë, në një ndeshje që duhet thënë se nuk ishte aq e lehtë për kryeqytetasit e drejtuar nga Nevil Dede.

Bardheblutë rikthehen të luajnë në shtëpinë e tyre, stadiumin “Selman Stërmasi” dhe në pjesën e parë vuajtën jo pak përballë Apolonisë, që luante me mobilizim e motivim maksimal, me shpresën për të mos dalë pa pikë.

Sfida u zhbllokua në minutën e 50′ nga mbrojtësi i majtë i bardhebluve Marsel Ismailgeci, ndërsa në të 74-ën ishte mesfushori Batha ai që dyfishoi shifrat dhe praktikisht vulosi fatin e takimit të sotëm.

Megjithatë në minutën e 86’ ishte sërish Batha që nisi një pasim të saktë për Ernest Muçin dhe ky i fundit shfrytëzoi daljen e portierit Harizi, për të shënuar edhe golin e tretë për Tiranën, që tashmë ngjitet në kuotën e 12 pikëve, po aq sa edhe Partizani i vendit të tretë.

Gjen fitoren e parë në kampionat edhe Bylisi, që ia doli të triumfojë me shifrat 2-1 ndaj Kastriotit dhe të marrë një 3-pikësh me mjaft vlera. Mallakastriotët luanin sfidën e dytë radhazi në shtëpi, pasi vetëm 4 ditë më parë u mposhtën 0-3 ndaj Kukësit, por sot treguan një tjetër grintë e dëshirë në fushë.

Edison Ndreca zhbllokoi sfidën për ballshiotët që në minutën e 7’, ndërsa më pas ishte sulmuesi Mehmetllari që shënoi edhe golin e dytë në portën e Isli Hidit, duke vënë ndeshjen në shinat e duhura.

Kastrioti rihapi takimin tre minuta para fundit të pjesës së parë, pasi shënoi me anë të sulmuesit 24-vjeçar Brazilian, Devid de Santana, por ky gol vlejti vetëm për ta bërë më interesante pjesën e dytë, pasi deri në fund të takimit, rezultati mbeti i pandryshuar.

Me këtë tre pikësh Bylisi ngjitet në vendin e 8 me 8 pikë, ndërsa Kastrioti pëson humbjen e dytë radhazi dhe zbret përkohësisht në vendin e 5-të me 10 pikë në 8 javët e para të kampionatit./supersport/

Mesfushori shqiptar gol dhe asist në Serie B (video)

Sulmuesi i shpresave realizon golin e tretë në Kroaci