Teuta mund Tiranën, Partizani i “hakmerret” Gegës

Pasi e nisi sezonin e ri me një fitore të pastër 2-0 ndaj Kukësit, Tirana pësoi humbjen e parë që në javën e dytë, pasi u mposht me rezultatin minimal 0-1 ndaj Teutës në sfidën e zhvilluar në Pogradec.

Lorenzo Vila shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 32-të të takimit, ndërsa më pas rezultati mbeti i pandryshuar dhe Teuta mori fitoren e parë sezonale, pikërisht ndaj Tiranës, të cilën e mposhti 3 herë edhe sezonin e kaluar.

Zhgënjen sërish Kukësi i Skënder Gegës, që pëson humbjen e dytë radhazi, sërish me rezultatin 0-2, por këtë herë përballë Partizanit në “Loro Boriçi”. Tekniku i verilindorëve kishte bërë ndryshime në formacion, krahasuar me ndeshjen ndaj Tiranës, por edhe me “të kuqtë”, Kukësi nuk arriti të shprehë cilësitë që ka në letër.

Nga ana tjetër Ilir Daja shijoi suksesin e tij të parë në pankinën e Partizanit, pasi i rikthyeri Lucas Cardozo zhbllokoi sfidën në minutën e 60’ dhe më pas ishte Solomon që vulosi suksesin në minutën e 90’.

Zhgënjen sërish Laçi, që nuk shkoi përtej barazimit 1-1 në sfidën përballë Kastriotit të ngjitur rishtazi në Kategorinë Superiore. Bardhezinjtë kaluan të parët në avantazh me anë të Emiliano Mustës në fillim të pjesës së dytë, por krutanët nuk u dorëzuan edhe pse 25 minutat e fundit i luajtën me një lojtar më pak, pasi Rezi u ndëshkua me karton të kuq.

Këtë herë heroi i Kastriotit ishte sulmuesi me eksperiencë Sebino Plaku që shënoi në minutat shtesë dhe u dha një pikë krutanëve në një transfertë të vështirë, ndërsa Laçi mbetet në kuotën e dy pikëve pas dy ndeshjeve të para.

Fierakët e nisën mirë ndeshjen dhe arritën të shënojnë dy gola të shpejtë, fillimisht me anë të Rimal Haxhiut dhe më pas me anë të Redon Mihanës, që krijuan idenë e një fitoreje të lehtë të Apolonisë.

Megjithatë ballshiotët reaguan dhe rihapën takimin në minutën e 28’ me anë të Edison Ndrecës, ndërsa i njëjti futbollisti riktheu baraspeshën 20 minuta para fundit, duke dërguar sërish topin në rrjetën e portës së Apolonisë.

Më pas deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar dhe Apolonia mori pikën e parë në Superiore, ndërsa Bylis ngec sërish në barazim dhe merr vetëm dy pikë në po kaq ndeshje.

Apolonia – Bylis 2:2

Tirana – Teuta 0:1

Kukësi – Partizani 0:2

Laçi – Kastrioti 1:1

Tjetër dëmtim për mesfushorin e Kombëtares

FSHF publikon axhenden e Kombëtares për ndeshjet e nëntorit