Strakosha: shqipëria të guxoj për botërorin, Tomasi nuk trembet nga Levandovski

Nga babai tek i biri. Nga një ish-portier kapiten te një portier që po prek majat në Serinë A dhe po kalon ture në grupet e Champions-it. Foto dhe Tomas Strakosha po shkruajnë historinë me Kombëtaren shqiptare në dekada të ndryshme. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ishkapiteni kuqezi tregon emocionet e të përsëriturit të duelit për një “Strakosha” ndaj Anglisë, edhe 20 vite më vonë. 

Foto tregon aspektin shëndetësor të të birit që kaloi pak javë më parë Koronavirusin, konkurrencën aktuale që ka në skuadër si dhe destinin e fatit që do të ketë përballë Levandovskin mbase katër herë: dy herë me Lacion në Champions dhe dy herë me Kombëtaren. Në analizën e tij, Foto Strakosha deklaron se dëshira dhe ambiciet e Shqipërisë duhet të jenë të mëdha, për të synuar, pse jo, edhe një rikualifikim të madh, këtë herë në Botëror. Mirëpo, në fjalën e tij ai shpreh edhe objektiva realë dhe që janë, si të thuash, “detyra e shtëpisë” për Kombëtaren.

Strakosha, si ju duket shorti i Shqipërisë, çfarë na pret me ata kundërshtarë?

Mendoj se është normale që në shortin e eliminatoreve të Kampionatit Botëror të bien ekipe të forta, ekipe të cilat janë në baraspeshë me ne, por gjithashtu edhe ekipe më të dobëta se ne. Unë e shoh grupin ashtu siç edhe mund ta prisnim, nisur nga vazoja ku ndodheshim.

Që do të thotë… çfarë mendoni se duhet të bëjë Shqipëria?

Unë mendoj se me ekipet e forta vjen vetvetiu, te të gjithë, edhe te futbollistët, edhe përqendrimi, edhe angazhimi, edhe dëshira për t’u paraqitur sa më mirë. Sipas meje, detyra kryesore është që me ekipet të cilat janë pothuajse në baraspeshë me ty dhe me ekipet më të dobëta, duhet të jetë përqendrimi dhe angazhimi më maksimal i mundshëm. Atje duhet të synojmë që të marrim ato pikë që janë në pjesën teorike si të padiskutueshme.

Sipas jush, cili është objektivi i saj real dhe synimi që duhet të ketë Kombëtarja në këtë fazë kualifikuesesh

Dëshira është e madhe dhe, përse jo, të mos përsëritet edhe një herë kualifikimi që u arrit për “Euro 2016”, që të arrihet edhe për Botërorin. Mirëpo, për të qenë realist, ajo që unë mendoj dhe që kam dëshirë, është që ky grup të përmirësohet dhe patjetër duhet parë që në çdo raund kualifikueses ne të ngrihemi një vazo më lart. Ky ekip kombëtar duhet, dhe unë kam besim, se do të ketë rritje. Ky është për mua objektivi real. Duhet të rritemi dhe, pse jo, që në kualifikueset e tjera të jemi në një vazo më sipër.

England's Michael Owen looks up from the turf after being brought down by Albania goalkeeper Fotaq Strakosha (l) (Photo by Neal Simpson/EMPICS via Getty Images)

Keni qenë në fushë ndaj Anglisë. Çfarë kujtoni në përballjet me “Tre Luanët”?

Për të thënë të vërtetën, ajo na ka mbetur tani, që të rrimë dhe të kujtojmë me nostalgji dhe me dëshirë të gjitha momentet e ekipit kombëtar, duke filluar nga ato të vështirat, të këqijat, por edhe momentet e bukura dhe të mira. Për sa i përket ndeshjes me Anglinë, çfarë mund të sjell në kujtesë është që në atë ndeshje, fatkeqësisht, jemi ndëshkuar në të dyja pjesët në momentet e fundit.

Me sa mbaj mend, ka qenë në pjesën e parë një gol me penallti, mos gaboj në minutën e 44-t dhe në pjesën e dytë në minutën e 88-të (Angli-Shqipëri, 2-0 e luajtur më 5 shtator 2001 në “St.Xhejms Park” me 51 mijë e 46 spektatorë të pranishëm). Anglia atëherë kishte në përbërje goxha emra të mëdhenj të futbollit europian dhe botëror.

Ajo që më ka bërë përshtypje, ishte se në Angli, gjatë gjithë pjesës së parë ku ata nuk na ushtruan shumë presion për të thënë të drejtën, por më ka mbetur në mendje që gjatë gjithë kohës publiku anglez duartrokiste ekipin e tyre. Pra, edhe në qarkullimin e topit mbrapa, ata përkrahnin dhe brohorisnin skuadrën e tyre. Faktikisht, ishin shume herë më lart se ne, por gjithsesi të mbetet shija e keqe e humbjes, aq më tepër kur vjen në minutat e fundit.

Strakosha në fushë në vitin 2001. Një Strakosha në fushë përballë Anglisë në vitin 2021. Çfarë ndjesie është për ju?

Fakti që është edhe Tomasi në ekipin tonë kombëtar, kam mendimin se nuk ndryshon nga ndeshja në ndeshje.

Dakord, por si është?

Patjetër që shumë emocionuese. Është sigurisht edhe diçka e bukur për tim bir, por mbi të gjitha një dëshirë shumë e madhe për të fituar në çdo ndeshje.

Një ish-bashkëlojtar juaji, Besnik Hasi, u shpreh: “Më vjen keq për Foton, por xhuniori është më lart”. A i bashkoheni dhe a e pranoni një vlerësim të tillë?

Faleminderit Besnikut, por e kam pranuar edhe unë (qesh…). Është realiteti… Dua apo s’dua unë, është fakt tashmë. Eh… Gjithsesi, e falënderoj Nikun (Besnik Hasin) dhe i them që nuk ka pse t’i vijë aspak keq, sepse edhe për mua është kënaqësi. Dua që Tomas të shkojë sa më mirë në karrierën e tij dhe sa më lart që të jetë e mundur.

Foto-dhe-Thomas-Strakosha

Fatmirësisht Tomas është rikthyer në fushë, por pati një periudhë me lajme që njoftonin se periudha me COVID i zgjati disi. Si ishte ajo periudhë, si e kaloi dhe si është aktualisht Tomas?

Po, është e vërtetë që Koronavirusi e mbajti goxha gjatë në izolim. Tomas ka qëndruar rreth 26 ditë në karantinë. Shyqyr Zotit, Tomas nuk kishte shumë shenja. Pati vetëm gjatë 3-4 ditëve të para, pak temperaturë dhe debulesë në trup. Tani, shyqyr Zotit, është mirë dhe është kthyer me ekipin, me grupin në stërvitje të përditshme.

Për të parën herë, Tomas po alternohet me një portier tjetër. Si e keni parë ju në këtë periudhë dhe si ish-trajner i tij, çfarë këshillash ju ka kërkuar?

Nuk është hera e parë, në fakt. Konkurrenca, besoj se për çdo njeri, në çdo aktivitet të jetës dhe për çdo punë është e pranishme. Unë mendoj se konkurrenca të rrit, të bën që të tregosh vlerat që ke. Edhe Tomi besoj se e ka pasur, e ka dhe do ta ketë gjatë gjithë karrierës së tij. Kam besim tek ai se në çdo moment, duhet dhe do të tregojë vlerat e tij. Kështu besoj se edhe ai vetë rritet dhe kam përshtypje se bën mirë për të gjithë, për këdo.

Ndoshta është ironi apo shenjë e fatit. Tomas do të ketë përballë Levandovskin në Champions, para se të jetë ndeshja me Poloninë. Mund ta kemi portierin si udhërrëfyes për ndeshje të një vështirësie të tillë, kur dihet që prapavija do të ketë punën më të vështirë?

Me suksesin që arriti Lacio, duke u kualifikuar përtej fazës së grupeve, është normale që në këtë rrugëtim në Champions do të gjendej edhe përballë ekipeve të vështira. Mirëpo shorti i ra me ekipin kampion në fuqi të këtij kompeticioni. Ndoshta edhe me ekipin më të fortë për momentin. Si rrjedhojë, edhe kundër sulmuesit më të mirë, Levandovskit. Hmm… Unë kam besim se Lacio, të paktën, do të bëjë një paraqitje dinjitoze.

Në futboll janë të pranueshme të gjitha, por është e vërtetë që do të ketë përballë një ekip që luan futboll shumë të mirë dhe një sulm goxha të rrezikshëm. Edhe portieri, por edhe i gjithë ekipi të shpresojmë që në ato dy ndeshje të jenë në formën e tyre më të mirë për të ndihmuar Lacion, por edhe, pse jo, për rritjen e tyre dhe për ta justifikuar edhe rrugën e mirë që po bëjnë dhe ëndrrën e bukur, Champions Ligë.

Për fat të keq, së fundmi një lajm i hidhur për ndarjen nga jeta të Oto Bariçit…

Oto ka qenë një person që e ka ndihmuar Kombëtaren në një periudhë të caktuar. Ishte edhe tranzicion. Në këtë periudhë të vështirë për të gjithë botën, shumëkush nga ne, për fat të keq, ka humbur të afërm dhe miq. Më vjen keq për largimin nga jeta edhe të Otos dhe u shpreh ngushëllime familjarëve dhe miqve të tij të afërm. Urimi i vetëm në këtë situatë është që sa më shpejt, e gjithë bota të rikthehet në rrjedhën e saj normale, pa këto vështirësi kaq të mëdha.

Lirim Zendeli zyrtarisht në Formula 2

Basha shfrynë në Poloni: Do e mundni Shqipërinë, mua nuk më thërrasin lojtarë pa ekip