Stazhe jashtë vendit për zbulimin “xhevahirëve” shqiptarë

aSport– La Gazzetta dello Sport i dedikon sot një faqe Shqipërisë. Më saktë zhvillimit të kombëtareve të moshave dhe punës që po bëhet nga Paolo Tramezzani në gjetjen dhe afrimin e talenteve me origjinë shqiptare te përfaqësueset kuqezi nga U-15 e deri te U-21. Është vetë Tramezzani i cili i shpjegon projektin që do i lejojë Shqipërisë pasurimin me futbollistë, gazetarit italian Vincenzo D’Angelo.

Një eksod nga ana e kundërt. Duke ëndërruar për futbollin. Është fryma e re e entuziazmit që ka sjellë rritja e kombëtares shqiptare të drejtuar nga italiani Gianni De Biasi. Pas emigracionit masiv të viteve ‘90 që i ka marrë Shqipërisë breza e breza të ndryshëm, tani është koha e rikthimeve. Dhe e zbulimit të talenteve në fushat e gjysmës së Europës. Ajo Europë e “shijuar” në Francë verën e kaluar me kombëtaren e madhe. Në Europian u luajt një tip derbi kur skuadra e De Biasi-t sfidoi Zvicrën, një prej shumë kombeve që ka shfrytëzuar emigracionin e fillimviteve ’90. Misioni i ri i Federatës Shqiptare të Futbollit ka ndër objektivat parësorë vlerësimin e përmirësimin e kombëtareve të moshave. Forcimi i themeleve dhe ndalimi i marrjes së talenteve me origjinë shqiptare nga kombëtaret e huaja. Për t’a realizuar ishte i nevojshëm një projekt serioz e i besueshëm. Si edhe një investim i rëndësishëm.

Stazhe jashtë vendit

Nga janari i shkuar ky projekt ka marrë jetë me në krye Paolo Tramezzani-n, ndihmës i De Biasi-t në kombëtaren e madhe dhe tani drejtor teknik dhe koordinator i kombëtareve të moshave. Në Europë (dhe në Itali) ka shumë të rinj shqiptarë që merren me futboll, çka ka bërë që Tramezzani dhe stafi i tij të eksperimentojnë stazhet jashtë vendit. Nga janari e deri më sot, Shqipëria ka zhvilluar stazhe në Zvicër, Greqi, Itali, Maqedoni e Kosovë për të rinj nën grupmoshën 19 dhe 17 vjeç. E tani edhe U-15, përfaqësuese e sapokrijuar dhe e kërkuar nga vetë Tramezzani. “Të nisësh nga U-15 është e rëndësishme për zhvillimin e një rritjeje të vazhdueshme – tregon Tramezzani –. Në vitet e fundit shumë fëmijë emigrantësh kanë zgjedhur në moshë të re përfaqësimin e Danimarkës, Norvegjisë, Zvicrës apo kombëtareve të tjera sepse në Shqipëri nuk ekzistonin skuadra kombëtare poshtë U-17. Me punën tonë zbuluesë të nisur 5 vjet më parë për kombëtaren e madhe, kuptuam se sa burime ka Shqipëria anembanë Europës. E falë presidentit të federatës, Armando Duka, nismëtar i punës që po bëjmë sot, nisëm projektin që do i mundësojë futbollit shqiptar të bëhet më konkurrues. Në Itali kemi bërë dy stazhe, një në Veri e një në Jug, pikërisht për të grumbulluar sa më shumë të rinj që ishte e mundur. Në Greqi ishin më shumë se 250 djem nga 15 deri në 19 vjeç. Një pjesëmarrje masive. Ndërsa në stazhin e Zvicrës erdhën shqiptarë nga Belgjika, Gjermania e Franca.”

Protokoll i njëjtë 

Edhe në atdhe gjërat kanë ndryshuar. Tramezzani tregon: “E kemi ndarë Shqipërinë në 6 zona, e secila prej tyre ka qendrën e saj federale, me instruktorë të kualifikuar e të formuar nga ne, ku lojtarët më të mirë të zonave shkojnë e stërviten dy herë në javë. Në këtë mënyrë mund të monitorojmë nga afër rritjen e tyre – shpjegon Tramezzani –. Në stazhet jashtë vendit, puna është më komplekse. Sigurisht janë të pranishëm të gjithë seleksionuesit e skuadrave të moshave. Secili prej tyre, më pas, bën edhe relacionin vetjak. Puna nis nga një vëzhgim fillestar e më pas kalohet te ndeshjet, ndeshjet me fushë të ndarë në pjesë e kështu me radhë, ku bëhet një seleksionim i parë. Më pas vjen radha e stërvitjeve specifike për çdo rol dhe këtu është më e lehtë për të pikasur vetitë e lojtarëve. Çdo stërvitje filmohet nga telekamera. Në fund të gjithë pjesëmarrësit e vëzhguar kanë skedën përkatëse që shkon në arkivin tonë. Për realizimin e projektit ishte i domosdoshëm instalimi i një protokolli unik, teknik dhe psikologjik, në të gjitha skuadrat për të arritur më pas te vazhdueshmëria e nevojshme e mësimdhënies, sepse qëllimi përfundimtar është monitorimi i aktivitetit sportiv të të rinjve për të pasuruar skuadrat e moshave dhe për të rritur cilësinë.” Të rritesh, me forcën e ideve dhe të punës.

 

 

You must be logged in to post a comment Login