Skënderbeu për titull, ndjekin Kukësi me Partizanin

aSport– Pas profileve të Luftëtarit, Korabit, Laçit, Flamurtarit, Vllaznisë, Tiranës e Teutës, pak orë përpara fillimit të kampionatit përshkruajmë edhe 3 skuadrat që pritet të rivalizojnë për titull në sezonin 2016-17: Skënderbeun, Kukësin e Partizanin. Duke bërë edhe parashikimet tona për rezultatin final.

 

Skënderbeu 60%

Korçarët nisen favoritë për faktin se nuk e lëshojnë “fronin” prej tashmë 6 sezonesh. Nga ekipi i vjetshëm mungojnë trajneri Josa dhe ish-kapiteni Shkëmbi.

I pari është zëvendësuar nga italiani Andrea Agostinelli, vjet në krye të stolit të Partizanit dhe dashamirës i lojës së bukur, ndërsa i dyti shiritin ja ka kaluar Orges Shehit, një garanci për kampionatin tonë.

Portieri durrsak i kampionëve, në punën e tij ndihmohet edhe nga një mbrojtje e fortë, e përforcuar së fundmi me Gledi Micin majtas dhe rikthimin e shpejtë të Kristi Vangjelit djathtas.

Mesfusha është më e mira e kampionatit. Në të ka fantazi (Lilaj), forcë (Orelesi) e shpejtësi (Latifi), tre elementë që ndihmojnë në thellimin e diferencës me ndjekësit më të afërt.

Hamdi Salihi në sulm garanton të paktën 15 gola dhe shumë presion te kundërshtarët. Alternativë e tij nigeriani James, i cili sezonin e kaluar kërkohej nga skuadrat më të forta të superiores.

Më këta lojtarë në dispozicion dhe një klub me baza të forta në mbështetje, Skënderbeu e nis edhe këtë turne me “namin” e skuadrës për t’u mundur.

 

Kukësi 20%

Verilindorët e nisin kampionatin si fitues të freskët të superkupës. Trajner i skuadrës është Ernest Gjoka ndërsa pjesë e ekipit janë bërë edhe një numër i konsiderueshëm lojtarësh që kanë spikatur në skuadra të ashtuquajtura të vogla (Alla nga Bylis, Guri nga Korabi).

Në portë titullar është Koliçi, jo i pagabueshëm në sezonin e kaluar. Hallaçi e Shameti pritet të drejtojnë mbrojtjen ndërsa largimet e Malotës dhe Micit nuk janë zëvendësuar me lojtarë që kanë cilësinë e këtyre të fundit.

Në mesfushë fantazia pritet të vijë nga këmbët e Edon Hasanit dhe Nijaz Lenës ndërsa përvoja e Musollit do të shërbejë për thyerjen e aksioneve të kundërshtarëve.

Sulmi duket edhe reparti më i kompletuar. Kukësi ka rikthyer në skuadër Pero Pejiç, një “mal” me gola në kampionatin tonë, i cili do të ndihmohet edhe nga Izair Emini në detyrën e ndëshkimit të portierëve kundërshtarë.

 

Partizani 20%

Për kryeqytetasit, të cilët sezonin e kaluar shpresuan deri në fund për t’u shpallur kampionë, ndryshimet gjatë kësaj vere kanë qenë të shumta. Në stol është ulur Adolfo Sormani, ndërsa nga ekipi janë larguar ndër të tjerë kryegolashënuesi Xhevahir Sukaj dhe mesfushori krijues Filipe Gomes.

Në portë kapiteni Alban Hoxha, nga më cilësorët e turneut ndërsa në mbrojtje janë afruar Malota dhe i riu shkodran Esin Hakaj, që do përpiqen të luftojnë për një fanellë titullari.

Vera europiane solli një zbulim të këndshëm për të kuqtë, mesfushorin 20 vjeçar Ylber Ramadani: i qetë, i saktë dhe me një kontroll të admirueshëm topi. Problemet në mesin e fushës vijnë nga mungesa e një fantazisti të mirëfilltë (duke qenë se Bardhit po i jepen pak hapësira) dhe paqartësia e klubit në marrëdhënien me Mazrekaj, ndoshta lojtari më i rëndësishëm i skuadrës në tre sezonet e fundit.

Sulmi është ende një “rebus”: nënkampionët kanë humbur edhe shërbimet e serbit Raçiç që është zëvendësuar nga Ekuban dhe izraeliti Ben Azubel. Për disa ndeshje rolin e “pykës” në Europë e kreu Realdo Fili, jo në pozicionin e tij natyral.

Nëse marrëdhëniet klub-drejtues do jenë më normale dhe sulmuesit e huaj të rezultojnë afrime të goditura, ndoshta edhe 15 herë kampionët e vendit mund të shfaqen të rrezikshëm në luftën për titull.

You must be logged in to post a comment Login