Skandalet e “Qemal Stafës”

aSport – Ditën e djeshme, në një ceremoni të dedikuar, Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi më në fund projektin e stadiumit “Qemal Stafa”, nën praninë e administratës shqiptare, por dhe përfaqësuesve të Uefa-s. Më në fund, do thoshte dikush. Kjo sepse saga e stadiumit vazhdon prej shumë vitesh, plot 7 të tillë.

Në 2009, presidenti i atëhershëm dhe i tanishëm i FSHF-së, Armando Duka, deklaronte se pas vitesh pa ndërhyrje, kishte ardhur koha të investohej në rikonstruktimin e “Qemal Stafës.” Plani ishte : 12 milionë euro, 6 prej të cilave nga FSHF dhe 6 të tjera nga Ministria e Sporteve. Ky ishte plani më minimal, për shkak të kostove të mëdha. Ndërhyrje në tribunën kryesore dhe mbulimi i plotë. Edhe pse u bënë studime, të cilat u paguan, plani ngeli vetëm një fjalë goje.

Një vit më vonë, nën propagandën zgjedhore, kryeministri i atëhershëm Sali Berisha premtonte një stadium të ri për 100 vjetorin e pavarësisë. Sa bukur! Shqiptarët po shkonin në çdo miqësore të kombëtares, me idenë se mund të ishte e fundit. Të paktën kështu thuhej. Pas dy vitesh pa asnjë punë e pa asnjë koment as nga Federata e as nga ndonjë tjetër, nën sh.a “Kuqezi” të krijuar nga FSHF dhe shteti shqiptar për stadiumin, u regjistrua prona, pas zgjidhjes së problemeve burokratike mes Ministrisë së Kulturës dhe të Ekonomisë. U bë plani për prishjen e godinës ekzistuese, i planifikuar me eksplozivë. Ndërkohë me kohë, studioja arkitekturore spanjolle “RFA” kishte marrë përsipër modelimin e stadiumit dhe ishte paraqitur për 80 vjetorin e FSHF-së. Stadiumi do kushtonte 60 milionë euro dhe do kishte 33 mijë vende, por u rishikua projekti dhe u ul në 25 mijë vende e më pas në 20 mijë, për të ulur kostot. “RFA” kishte projektuar stadiumet e Valencia-s, Atletico-s dhe Espanyol-it. Por ngeli në letër. Çdo pagesë që ishte bërë për studion apo për organizimin e prishjes shkuan në kosh.

Qershor 2015 : Qeveri e re, tentativë e re. Tanimë nuk do quhet më “Kuqezi”, por “Arena Kombëtare.” I projektuar nga studioja italiane “Serenissima Construzioni”, stadiumi do ishte 22 mijë vendesh, totalisht i mbuluar. Në nëntor, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishi, konfirmon : “Stadiumi do të ndërtohet me konçension. Ende nuk e kemi gjetur konçensionarin, por së shpejti besoj se edhe kjo procedurë do të mbyllet. Pas 2-3 muajsh, ose më saktë në janar të vitit të ri, do të nisë të shembet stadiumi aktual “Qemal Stafa”, mbi rrënojat e të cilit do të ngrihet stadiumi i ri, që do të quhet “Arena Kombëtare”. E përsëris, nuk do të ketë asnjë ndryshim nga projekti italian, që kemi paraqitur publikisht.” Pra, nuk do ketë ndryshim. Në janar, në “Qemal Stafa” u panë disa makineri të rënda, të cilat mesa duket po bënin matje. Kush ishin e ç’po bënin nuk dihej e nuk u shpjegua asnjëherë. Ikën ato dhe ikën e ditët, asnjë ndryshim.

Megjithatë, ajo që dihej, edhe pse jo zyrtarisht, ishte që “Serenissima” ishte tërhequr  dhe mund ta kishte shitur projektin e saj tek një kompani shqiptare. Përse? Asnjë shpjegim. Në shkurt u zbulua sërish jo zyrtarisht, që konçensioni do i kalonte një kompanie shqiptare. 25 mijë metra katror, që jo vetëm stadium, por do përmbanin dhe dyqane, lokale e zyra. E gjitha në dorë private. Rikonstruktimi do paguhej nga FSHF dhe qeveria, secila nga 10 milionë euro. Dy muaj më vonë, gjithçka konfirmohet. Një stadium me një pallat të integruar, nën firmën shqiptare “Albstar”, që në jetën e saj ka bërë pedonalen e Korcës dhe një unazë në Mullet (sipas faqes së saj zyrtare). Ekspertizë e madhe për një stadium. Por ka diçka tjetër : projekti italian i “Serenissima” u hodh në plehra, bashkë me lekët që ishin paguar për të. Tani projekti është bërë nga një tjetër italiane, “Archea.” Para të tjera për një projekt të katërt në 7 vite.

Pas 7 vitesh, janë hedhur mijëra euro në projekte, asnjëri i realizuar. Janë bërë disa studime fizibiliteti, që nuk kanë sjellë asgjë. Janë organizuar evente, për hicgjë. Në fund, do ndërtohet një stadium me pallat brënda, i pari në botë, duke i dhënë në këtë mënyrë praktikisht një privati me konçension 25 mijë metra katror në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës. Mijëra euro, mos themi miliona euro, që mund të ishin investuar në fusha sportive e akademi, që janë për faqe të zezë. Tirana sot ka më pak se gishtat e njërës dorë.

Epo, askush nuk e vret mendjen për këto, por të paktën kjo sagë mbaroi. Ose kështu shpresojmë…

You must be logged in to post a comment Login