Si po na hedh FSHF hi syve me suksesin e kombëtares

aSport – Viti 2016 dhe dy të tjerët që e paraprinë ishin padyshim vitet më të mira të kombëtares, edhe pse humbja me Izraelin na e zbeh pak gëzimin. Kualifikimi në një grup të vështirë ishte torta, paraqitja dinjitoze në Euro 2016 ishte qershia mbi të dhe pritshmëritë për këto kualifikuese të Botërorit tregojnë që ne u “mësuam keq” me këtë tortë.

Futbolli shqiptar ka një strukturë të ndërtuar, e cila nis nga Federata Shqiptare e Futbollit e mbaron tek ekipet e profesioniste dhe kombëtaret. Padyshim rezultatet e kombëtares së madhe janë ato që vlejnë dhe mund të vlerësohen më mirë, por që të arrijmë deri aty, ka shumë punë nga prapa. Rrjedhimisht, duke parë suksesin e Shqipërisë, mund të thuash që pas saj është një punë e madhe dhe e suksesshme. Por nuk është.

E gjitha është një hi sysh, të cilin Federata na e ka përgatitur duke shfrytëzuar fatin e saj, që shqiptarët për arsye historike janë shpërndarë nëpër botë. Baza e skuadrës historike përbëhej nga lojtarë të rritur e shkolluar jashtë vendit, sidomos nga Zvicra ku shqiptarët nga Kosova janë vendosur prej vitesh.

Problemi qëndron, që FSHF nuk po bën asnjë lëvizje për të kryer punën e vetë në strukturat e moshave në Shqipëri dhe, teksa futbolli ynë qëndron akoma i korruptuar, talente të prodhuar prej tij në kombëtaren e madhe nuk afrohen më prej shumë kohësh. I fundit, mbase, ka qënë Bekim Balaj. As prodhime që shkojnë jashtë shtetit dhe ja dalin me sukses nuk ka. Shumë e kanë provuar, por nuk ja kanë dalë dot as në Rumani e Bullgari, e jo më në kampionatet elitare. Mungon talenti? Jo, por puna dhe investimi për ta është minimal.

As suksesi i arritur nuk ndryshoi ndonjë gjë në mënyrën e punës nga organi kryesor i futbollit në Shqipëri. Përkundrazi, më shumë u punua për të na shitur arritjet e kombëtares, të ardhura prej punës së të tjerëve si arritje personale, sesa për të menduar për të ardhmen që vjen nga futbolli dhe puna jonë. E ardhmja, megjithatë, me pranimin e Kosovës në FIFA e UEFA, duket se po planifikohet këtë rradhë me ndihmën e Italisë, në moshat e së cilës janë shkolluar shumë fëmijë emigrantësh shqiptarë.

Mbase kjo strategji do funksionojë sërish, por për sa? Për 5 vite të tjera? Po më pas? A mund të ndërtohet e ardhmja e një kombëtareje duke shpresuar tek puna e federatave të tjera? A mund të shkojmë gjatë kështu? Jo, nuk mundemi. Nesër do na duhet të mbledhim frytet e punës sonë dhe ajo që po bëjmë nuk do nxjerrë asnjë fryt. Sot po na hidhet hi syve, por nesër, do kthehemi sërish aty ku ishim për shumë vite : pa rezultate dhe pa arritje, sepse donim të merrnim dhurata dhe jo të punonim.

You must be logged in to post a comment Login