Shthurje e përgjithshme, Izraeli na bën tre

aSport– Një ndër ndeshjet në të cilat mund të fitonim pikë përfundon në mënyrën më të keqe të mundshme. Izraeli na mund 0-3 në Elbasan Arena duke na kujtuar se për të arritur rezultate në futboll duhet të kesh gjakftohtësi e profesionalizëm.

Si të mos mjaftonte shthurja e skuadrës, në “menu” shtohet edhe fiskaliteti i gjyqtarit gjerman Deniz Aytekin. Fillimisht ndëshkon me te kuqe Gjimshitin në minutën e 17’. Mbrojtësi i kombëtares tonë shkakton penallti brenda zonës dhe e lë skuadrën me një lojtar më pak. Nga gabimi përfiton Zahavi që kalon miqtë në avantazh.

Ndeshja mbyllet përfundimisht në minutën e 55’ kur Berisha, me një reagim të çuditshëm e aspak karakteristik për të, i shkon kundërshtarit kokë më kokë duke e shtyrë. Veprimi i tij ndëshkohet me të kuqe nga gjyqtari gjerman e tjetër penallti për Izraelin që kësaj radhe pritet nga i sapofuturi Alban Hoxha, i cili merr vendin e Azdren Llullakut.

Rezultati vuloset në minutën e 66’ e më pas në të 84’ kur miqtë thellojnë avantazhin. Në dëshpërim e sipër, trajneri De Biasi aktivizon të gjithë sulmuesit që ka në dispozicion – me përjashtim të Sadikut – kur fatet e ndeshjes tashmë janë vendosur.

Paraqitje për t’u harruar e kombëtares tonë, e dy lojtarëve që u ndëshkuan me të kuqe, Mavrajt që shpeshherë vendosej gabim në mbrojtje e mesfushës opake. Dalluan në mediokritet Elseid Hysaj e Odise Roshi.

 

You must be logged in to post a comment Login