Shqiptarët në Serie A: mirë Berisha e Strakosha, më pak Veseli

aSport– 3 shqiptarë në fushë dje në Serie A me skuadrat përkatëse: portierët Etrit Berisha e Thomas Strakosha dhe mbrojtësi Frederic Veseli. Atalanta e Berishës arriti fitoren e pestë radhazi në kampionat (2-1 ndaj Roma-s), duke u konfirmuar surpriza e sezonit. Për titullarin e kombëtares, vlerësimet ishin këto:

La Reppublica: “5,5 Nuk del asnjëherë edhe pse në rastin e penalltisë do kishte qenë e nevojshme dalja.”

Calciomercato.it: “6,5 Kjo sfidë për të ka aromë derbi. Ish-portieri i Lazio-s ekzaltohet në të paktën dy raste përballë Salah, duke i mbyllur rrezen e portës egjiptianit.”

Thomas Strakosha për të katërtën herë titullar me Lazio-n në këtë sezon. 21-vjeçari luajti nga fillimi në fitoren e djeshme 3-1 ndaj Genoa-s. Vlerësimet:

Eurosport Italia: “6 Vendimtar në fundin e ndeshjes ndaj Ninkovic: një ndërhyrje që e ndalon Genoa-n të synojë përmbysjen. I ftohtë për pjesën tjetër të takimit, ku nuk i duhet të bëjë pritje të vështira.”

Tuttomercatoweb: “6 Portieri i ri tregohet i sigurtë si në dalje ashtu edhe në ndërhyrjet pak më të vështira.”

Vazhdon aktivizimet edhe Frederic Veseli, Empoli i të cilit u mund 0-4 nga Fiorentina. Vlerësimet për mbrojtësin:

Calciomercato.it: “5 Luan prej mungesave të Zambelli-t e Laurini-t. Përpiqet të mbrojë, por nuk shtyn fare. Në pjesën e dytë bie përfundimisht.”

Tuttomercatoweb: “5 Ndeshje e vështirë, nuk arrin thuajse asnjëherë të bllokojë anësorët e Fiorentina-s, të cilët duke u shkëmbyer e dërgojnë në konfuzion.”

You must be logged in to post a comment Login