Shqiptarët në Serie B: dallon Gjimshiti, mirë Çani, për t’u riparë Basha

aSport– U zhvillua dje java e 11 e kampionatit italian të futbollit, Serie B. Në fushë zbritën me skuadrat përkatëse edhe futbollistët e kombëtares shqiptare Berat Gjimshiti, Edgar Çani dhe Migjen Basha.

Avellino e Gjimshitit mundi 1-0 në fushën e saj Ternana-n dhe paraqitja e mbrojtësit – në fushë gjatë gjithë lojës – u vlerësua me nota pozitive nga mediat italiane. Për tuttomercatoweb komenti ishte ky: “6,5 Bllokon në mënyrë të dukshme Avenatti-n, duke i hequr pikën e referimit kundërshtarëve.” Fjalë të mira edhe nga tuttoavellino.it: “6,5 Sfida është e vështirë, por ja del me Avenatti-n. Pozitiv, gjithmonë e më i rëndësishëm për mbrojtjen bardhejeshile.”

Në barazimin 0-0 që Pisa arriti ndaj Verona-s së vendit të parë, trajneri Gattuso hodhi në lojë edhe sulmuesin Edgar Çani në minutën e 72’ të takimit. Për tuttopisa.it paraqitja e shqiptarit qe pozitive: “6 Gabon diçka por lufton me forcë dhe skuadra e tij fiton metra në minutat e fundit të takimit.”

90 minuta lojë për Migjen Bashën në ndeshjen që skuadra e tij Bari humbi 1-0 në transfertën e Novara-s. Për tuttomercatoweb, paraqitja e mesfushorit qe nën mesataren: “5,5 Humbet topa në mesfushë, prej nga lindin aksione të rrezikshme për kundërshtarët. Shumë gabime në shpërndarjen e lojës e disa kundërsulme të menaxhuar keq.”

Asnjë minutë lojë për Emanuele Ndoj në sfidën Brescia 2-1 Vicenza.

You must be logged in to post a comment Login