Shqipëria U-19 i nis me humbje kualifikueset e Europianit

aSport – Shqipëria U-19 e nisi me humbje Raundin Kualifikues për Kampionatin Europian që do të zhvillohet verën e ardhshme në Gjeorgji.

Skuadra e Arjan Bellait u mposht 1-0 nga Irlanda në takimin hapës të Grupit 4, ku bëjnë pjesë edhe Gjermania e Gjibraltari.

Fatin e duelit të zhvilluar në “Selman Stërmasi” e vendosi Ronan nga pika e penalltisë dy minuta para pushimit, pasi mbrojtësi ynë Doksani e preku topin me dorë në zonë. I pafat portieri Selmani, i cili e preku topin por pa mundur ta ndalte në rrugën drejt rrjetës.

Në të 51-n irlandezët goditën shtyllën si dhe patën disa raste të tjera për të dyfishuar në pjesën e dytë përballë një Shqipërie të mefshtë e pa ide të qarta në sulm.

Disfatë me peshë kjo për përfaqësuesen tonë përballë një kundërshtari direkt për t’u kualifikuar në Elite Round, ku shkojnë dy të parat e grupit dhe e treta më e mirë e të gjitha grupeve.

Prova e radhës për kuqezinjtë do të jetë kundër Gjermanisë në “Selman Stërmasi” të shtunën ora 14:00, për ta mbyllur me Gjibraltarin të martën e ardhshme (11 tetor, ora 14:00) po në kryeqytet.

You must be logged in to post a comment Login