Shorti: Tare jep parashikimin për Shqipërinë e Kosovën

Kosova dhe Shqipëria kanë mësuar rivalët e tyre, me të cilët do të luftojnë për të siguruar vend që mundëson kualifikimin për në Kampionatin Botëror, i cili do të mbahet në Katar në vitin 2022.

Kosova ndodhet në një grup ‘ferri’ së bashku me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë, ndërkohë Shqipëria do të përballet me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon.

Në një prononcim ekskluziv për Gazetën “Sheshi” ka folur ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, Igli Tare, i cili aktualisht ushtron postin e drejtorit sportiv në klubin Italian Lazio.

Tare e sheh si të vështirë daljen e “Dardanëve” nga Grupi B, mirëpo thekson se mund të jetë surpriza e grupit.

“Do të jetë shumë e vështirë, pasi që Kosova përballë vetës do të ketë kundërshtarë shumë të vështirë, mirëpo nëse gjen shpirtin e para dy viteve mund të jetë surpriza e grupit”, ka thënë Tare për Gazetën “Sheshi”.

Më pas ai ka analizuar dhe grupin e Shqipërisë, derisa thekson se “Shqiponjat” mund të luftojnë për pozitën e dytë.

“Edhe Shqipëria ndodhet në një grup më të vështirë. Mirëpo, unë besoj që do të luftojë për vendin e dytë, i cili realisht është i arritshëm me këta kundërshtarë që ka”, përfundoi Tare

Trajneri i Polonisë: Shqipëria skuadër e parehatshme

Duka: Grup i vështirë, Të përgaditemi për Euro2024