Shaqir Tafa thërritet nga Shqipëria U-21

aSport– Ëndrra e mbrojtësit të Palermo-s së të rinjve për të përfaqësuar Shqipërinë bëhet realitet. Shaqir Tafa për herë të parë thërritet nga Shqipëria. Ende pa mbushur 18 vjeç, mbrojtësi me origjinë nga Luzi i Vogël dhe i lindur në Itali është ftuar nga trajneri Redi Jupi për të qenë pjesë e kombëtarës U-21 në ndeshjen ndaj Izraelit që do të luhet më 10 tetor.

Vetëm 11 ditë më parë, talenti konfirmonte në një bisedë me aSport dëshirën për të përfaqësuar Shqipërinë në nivel ndërkombëtar. Ndër të tjera theksonte: “Në janarin e këtij viti kam bërë në Verona një stazh me Shqipërinë U-19 (Tafa një stazh e ka zhvilluar 3 vite më parë edhe me Italinë U-17), ku u vëzhguam nga zv.trajneri i kombëtares së madhe, Paolo Tramezzani-n. Ka qenë përvoja ime e vetme me përfaqësuesen e Shqipërisë. Me Tramezzani-n jam takuar edhe më vonë, në finalen e turneut të Viarexhos, ku madje bëmë edhe një foto bashkë. Ai më përgëzoi për paraqitjen dhe më tha se jam nën vëzhgim nga Shqipëria. Shpresoj që të thirrem sërish.”

Dëshirë e cila i është plotësuar shumë shpejt. Vetë Tafa, i pyetur nga aSport mbi ndjesitë që përjetoi në momentin që i erdhi ftesa, u përgjigj: “Është një ëndërr që realizohet. Jam shumë i lumtur. Puna e madhe gjithmonë shpërblehet. Nesër nisem drejt Shqipërisë ku do të bashkohem me grupin e lojtarëve të kombëtares U-21.” Me këmbë të mbarë.

You must be logged in to post a comment Login