Rrëfehet Federico Zenuni

aSport– Federico Zenuni, mesfushori shqiptar i huazuar nga Torino te Tuttocuoio në Lega Pro, rrëfehet në një intervistë të gjatë për mondopallone.it. I lindur në vitin 1997, Zenuni tregon fillimet e tij në futboll, përvojën te grupmoshat e Torino-s dhe skuadrën kombëtare me të cilën dëshiron të luajë.

 Fillimet 

“Futbollin e kam nisur te Torino në moshën 6-vjeçare, kur isha në klasë të parë. Nga aty më pas kam ngjitur shkallët te skuadrat e moshave granata. Një përvojë 13 vjet e gjatë me kulm shpalljen kampion i Italisë për të rinj, dy sezone më parë.”

Familja

“I detyrohem shumë familjes time. Prindërit vendosën të linin Shqipërinë në kërkim të një jete më të mirë. Fillimisht im atë u vendos në Rexho Kalabria; më pas duke përfituar nga fakti që shumë italianë të jugut emigronin në qytetet veriore, mendoi të nisej për në Torino. Me të gjetur një punë fikse, atij ju bashkua edhe mamaja ime bashkë me vëllain tim të madh, i cili gjithashtu ka provuar të luajë futboll në Itali: me moshat e Alessandria-s dhe në serie C me L’Aquila. Më pas duke qenë se kishte pasaportë ekstrakomunitare – ai, ndryshe nga unë, ka lindur në Shqipëri – e pati të vështirë të çante dhe vendosi të merrte një tjetër drejtim. Shpejt diplomohet në Inxhinieri energjitike.”

 Modeli

“Më pëlqen shumë Nainggolan, si për cilësitë teknike ashtu edhe për rolin që mbulon. Shpeshherë aktivizohem edhe unë në pozicionin e mesfushorit belg. Te ai më pëlqen grinta, e cila e bashkuar me cilësinë, i lejon t’a interpretojë në mënyrën më të mirë të mundshme rolin që ka.”

 Trajneri

 “I jam mirënjohës trajnerit të fundit që kam patur te Torino, Moreno Longo-s. besoi te unë duke më marrë nga paratërinjtë e duke më aktivizuar menjëherë si titullar te të rinjtë, pavarësisht se isha nën moshë. Më dha një identitet dhe më lejoi të zhvilloja një sezon si protagonist.”

Titulli

“Një gëzim i papërshkrueshëm kampionati i fituar me Torino-n. Më kujtohen fytyrat e shokëve të mi, pasi unë akoma nuk e besoja se çfarë po ndodhte. Fituam pas goditjes së penalltive, në mënyrën më të vuajtur, por një vit më parë humbëm në finale po me penallti.”

Profesionizmi  

“Ky është viti im i parë si profesionist. Ndryshimet ndihen menjëherë, që te mënyra e të stërviturit. Në Lega Pro intensiteti dhe vendosmëria janë më të lartë, ndaj edhe impenjimi duhet të jetë i madh për të mos zbritur në kategoritë diletante. Duhet përqëndrim i madh e sakrificë maksimale.”

 Tuttocuoio

 “Një realitet shumë i bukur: klubi i jep besim të rinjve dhe i garanton minuta. Kjo na lejon të punojmë pa shumë presion. Jemi si një familje e madhe. Mjeku i skuadrës, për shembull, vjen na kontrollon në shtëpi dhe na jep mjekimet. Jam ambientuar menjëherë.”

Objektivat

 “Synojmë qëndrimin në kategori. Personalisht dua të rris sa më shumë nivelin tim. Një ditë do të më pëlqente të kthehesha te Torino. Një ëndërr. Më jep një shtysë të madhe kur shikoj të rinj si Belotti, Benassi e Baselli që luajnë rregullisht.”

 Kombëtarja

 “Edhe pse e kam nisur me Italinë U-15 (pas një dëmtimi që më mbajti larg fushave për disa muaj nuk u thërrita më) kur mu dha mundësia për të përfaqësuar Shqipërinë U-17, nuk pata dyshime. Kam marrë pjesë në një Kampionat Europian ku arritëm kualifikimin në fazën finale, një arritje vërtet e madhe. Unë ndihem si italian ashtu edhe shqiptar. Kam lindur e jam rritur në Torino, ku mësova edhe të luaj futboll, por familja ime është shqiptare dhe mendimi që im atë ndihet krenar sa herë vesh fanellën e kombëtares më jep një shtysë të madhe. E di që De Biasi dhe Tramezzani informohen mbi mua dhe lojtarët e tjerë të perspektivës, por unë fillimisht duhet të jap më të mirën. Në të ardhmen nuk përjashtoj asnjë mundësi: nëse do më duhet të zgjedh me Italisë dhe Shqipërisë, do vendos me qetësi.”

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

You must be logged in to post a comment Login