Roshi-Balaj fluturojnë, Terek-u ëndërron Europën

aSport – Dita e sotme ka qenë mjaft pozitive për dyshen shqiptare te Terek Grozny. Skuadra çeçene arriti një fitore të rëndësishme përballë Ural-it në javën e 12-të.

Balaj përfitoi nga një gafë e portierit kundërshtar për të barazuar shifrat dy minuta para fundit të pjesës së parë ndërkohë që fraksioni i dytë ishte e tëri për miqtë të cilët në minutën e 56-të kaluan në avantazh: Roshi zbriti mirë në krahun e tij të kompetencës dhe i dhuroi një top të bukut Balajt për të dyfishuar shifrat.

Tri minuta më pas, përsëri mesfushori fierak i Kombëtares kërkoi në zonë bomberin kuqezi, i cili do të kishte realizuar tripletë nëse mbrojtësi Dinga nuk do ta shtynte vetë topin në rrjetë.

Në minutën e 71-të Roshi u zëvendësua nga Grozav, ndërsa Balaj la fushën shtatë minuta para fundit të kohës së rregullt.

Me dopietën e sotme sulmuesi nga Shkodra ngjitet në kuotën e gjashtë golave në 11 ndeshje këtë sezon, ndërsa fitorja e ngjit Terek-un përkohësisht në vendin e katërt të renditjes.

You must be logged in to post a comment Login