Rikthimi fantastik i Azdren Llullaku-t

aSport – Azdreni nuk kishte shkëlqyer në Zvicër, as nuk kishte luajtur me moshat e kombëtareve të tyre. Në ndryshim nga shumë Shqiptarë jashtë vendit, karriera e tij kishte qënë modeste, në kategoritë e ulëta të Italisë. Por kur vendosi të vazhdonte karrierën në Rumani tek Gaz Metan, gjërat filluan të ndryshonin për të.

Kështu ishte kur Gianni de Biasi vendosi ta thërriste në 7 qershor 2013 kundër Norvegjisë, kur vetëm tre javë më parë kishte marrë pashaportën shqiptare. Por grumbullimi përfundoi pa asnjë minutë për të dhe me paraqitjet e luhatshme në Rumani në muajt që erdhën, që e detyruan ekipin ta huazonte tek CSMS Iasi në janar të 2016, dukej se shansi për të veshur sërish fanellën kuq e zi nuk do vinte më.

Megjithatë çmenduria do fillonte në verë, me nisjen e sezonit të ri. 12 gola ka shënuar në 14 ndeshje sulmuesi shqiptar, dy vetëm në fundjavën që sapo shkoi. Jo vetëm që ka ngjitur skuadrën e tij në vend të tretë, por me një gol çdo 103 minuta rifitoi dhe ftesën në kombëtare, këtë rradhe me shumë minuta kundër Lihtenshtajnit. Llullaku është kryegolashënuesi i kampionatit rumun, me plot 4 gola më shumë se vendi i dytë dhe ka shënuar 67% të golave të ekipit të tij.

Nuk dihet si do përfundojë ky “fluturim” i 28-vjeçarit, i cili e ka pasur të vështirë të jetë konstant në vazhdimësi gjatë karrierës së tij, por për tani mund të shpresojmë që ky është vetëm fillimi, sidomos në eksperiencën e tij me kombëtaren.

You must be logged in to post a comment Login