Raporti i UEFA-s për trukimet, Partizani kërkon titullin e sezonit të shkuar

aSport – Partizani ka reaguar sot lidhur me raportin e UEFA-s mbi ndeshjet e manipuluara që çuan në përjashtimin e Skënderbeut për një vit nga Kupat e Evropës.

Me anë të një komunikate të publikuar në profilin zyrtar në “Facebook”, klubi kryeqytetas i kërkon Federatës Shqiptare të Futbollit të mbajë qëndrim ndaj korçarëve dhe t’ia dorëzojë Partizanit titullin e sezonit të shkuar.

Sipas të kuqve, UEFA i njohu ata si kampionë të Shqipërisë dhe të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe institucioni që drejton futbollin shqipar, duke vënë në këtë mënyrë drejtësinë në vend.

Deklarata e plotë e Partizanit:

“Pasi lexuam me vëmendje të gjithë vendimin e argumentuar të Komisionit të Apelit në UEFA dhe duke ditur që CAS e ka lënë në fuqi, klubi i Partizanit shpreh keqardhjen që trukimi i ndeshjeve ka marrë përmasa të tilla në futbollin shqiptar. Njëkohësisht, ndihemi të indinjuar që kemi qenë viktimë e manipulimit të rezultateve, duke na hequr mundësinë që të realizojmë objektivat tona, për shkak të ndërhyrjeve të pandershme në futboll. Por, bëhet akoma më e rëndë kur mendojmë që puna e madhe e futbollistëve, stafit dhe sakrificat e tifozëve në sezonin e kaluar 2015-16 nuk vlerësohen në mënyrë korrekte nga Federata Shqiptare e Futbollit. Për aq kohë sa UEFA na njohu si kampionë të Shqipërisë, që na cilësoi si të denjë për të marrë pjesë në Champions League, do ishte e nevojshme që edhe organi që drejton futbollin në Shqipëri, FSHF, të mbante një qëndrim. Ose të bëhej palë me klubin që ka trukuar disa ndeshje sezonin e kaluar (faktuar nga të gjitha organet gjyqësore sportive), ose të distancohej dhe të merrte masat e caktuara ndëshkuese, siç e përcakton rregullorja e këtij sporti. Klubi i Partizanit nuk kërkon asnjëherë trofe të padrejtë, por kërkon drejtësi. Klubi i Partizanit i kërkon Federatës Shqiptare të Futbollit që t’i kthejë atë pak nder të mbetur sezonit të kaluar, thjesht për të vlerësuar si duhet kontributin e ndershëm të atyre djemve që kanë dhënë maksimumin në fushën e lojës. Jemi të bindur, që me zbardhjen e këtij vendimit, secili do marrë atë që meriton. Urojmë që pandëshkushmëria e ‘krimit’ të mos bëhet precedent. Më mirë drejtësi të vonuar, se sa drejtësi të munguar…”.

Partizani

You must be logged in to post a comment Login