Porta e kombëtares

aSport– Roli më i veçantë, më i vështirë dhe me më shumë përgjegjësi në futboll është ai i portierit. Nëse mbrojtësi, mesfushori e sulmuesi, repartin (e bashkë me të edhe përgjegjësitë) e ndajnë me një ose disa shokë të skuadrës, portieri është përsonazhi më i vetmuar në ekip. Kjo i jep atij më shumë vlera por padyshim edhe më tepër përgjegjësi e vështirësi: gabimi i tij është përherë ai i fundit, fatali…

Kur një portier arrin formën e tij më të mirë, meritat nuk i jepen vetëm përgatitjes fizike apo këshillave tekniko-taktike të trajnerëve përkatës: në shkëlqimin e një mbrojtësi ekstrem rol kyç luan edhe psikologjia. Marrëdhënia e portierit me portën është fanatike. Portë të cilën e do të gjithën për vete dhe kur roli i tij si titullar vihet në dyshim edhe forma e gardianit pëson ndryshime. Fillon e bie.

I ndodhi Etrit Berishës te Lazio. Kur 27-vjeçari debutoi si titullar i Shqipërisë në një miqësore me Iranin në vitin 2012, menaxheri i kombëtares Alban Bushi me entuziazëm deklaronte se “kemi fituar një portier për 10 vitet e ardhshme”. Fillimi qe shpresëdhënës. Berisha, atëherë te Kalmar në Suedi, zinte vendin e Ujkanit dhe ndryshe nga paraardhësi ishte më i sigurtë në ruajtjen e katërkëndorit, nuk gabonte në topat në ajër dhe ishte i fortë në dyluftimet një për një.

Luante në Suedi, atje presioni ishte më i vogël sesa te Lazio ku do kalonte një vit më vonë. Te Kalmar ishte një ndër lojtarët kryesorë të ekipit, madje besimi i trajnerëve te prishtinaliu ishte aq i madh sa i lejonin edhe të godiste penalltitë. Morali i lartë dhe aktivizimi çdo javë e ndihmoi Berishën të përballonte me sukses edhe ndeshjet në mbrojtje të portës së kombëtares.

Në Itali nis një histori tjetër. Në tre sezone te Lazio, asnjëherë nuk ju besua roli i portierit të parë. Aktivizohej vetëm kur rivali i tij Marchetti vuante nga problemet fizike. Si rrjedhojë edhe aftësitë e Berishës nuk u përmirësuan e me kalimin e viteve aktivizimi i tij në kampionat u bë gjithmonë e më i rrallë. Situata e tij në klubin italian ndikoi edhe në sigurinë e portierit në ndeshjet me Shqipërinë: Berisha nis të gabojë më shpesh e të ndryshojë mënyrën e tij të të interpretuarit të ndeshjeve. Nga një lojtar shembullor bëhet më agresiv e më pak i saktë dalje, një nga pikat e forta të portierit në fillimet e karrierës.

Për të bërë dy shembuj: goli i Zvicrës në Europian dhe kartoni i kuq me Izraelin. Të gjithë mund të gabojnë, por siç lexohet më lart gabimi i portierit është përherë ai i fundit, fatali…

Alternativë e Berishës në kombëtare është portieri i Partizanit Alban Hoxha. 29-vjeçari nga Cërriku është padyshim bashkë me Orges Shehin, më i miri i kampionatit tonë. Elastik mes dy shtyllave, me një përqindje të lartë saktësie në pritjen e penalltive dhe rekordmen në Shqipëri për kohën më të gjatë pa pësuar gol. Me kalimin e viteve ka fituar pjekuri dhe gjakftohtësi (shiko mbrëmjen e Budapestit, tashmë pjesë e historisë) por disavantazhi i kapitenit të Partizanit është aktivizimi në kamponatin tonë.

I fundit në hierarki, të paktën deri tani, Thomas Strakosha. Mbiemri është garanci, i ati numëron mbi 70 ndeshje si titullar i kombëtares, por në fushë nuk zbritet me çertifikatën e lindjes në dorë. Debutoi këtë sezon në Serie A dhe e bëri në San Siro, jo një stadium dosido. Në tre ndeshje si portier i parë i Lazio-s pësoi vetëm dy gola dhe vlerësimet për të qenë përherë pozitive. Është vetëm 21 vjeç dhe ka moshën aleate për të pritur akoma pak vite për t’u bërë i pari i Shqipërisë. Gjithmonë nëse Berisha nuk kthehet ai i kohëve të Kalamar-it. Të paktën nga ana e besimit në vetvete…

 

 

You must be logged in to post a comment Login