Norvegjia “shkatërron” Kombëtaren e Femrave

Asport – Kombëtarja shqiptare e futbollit për femra regjistron humbjen më të rëndë në histori, pasi në Niko Dovana skuadra e drejtuar nga Altin Rraklli thyhet keqazi 11-0 nga Norvegjia.

Nuk pritej ndonjë rezultat pozitiv për Shqipërinë, pasi përballë ishte skuadra kryesuese e grupit dhe një nga më të mirat në botë, por një rezultat i tillë dukej i pamendueshëm. Goleada nordike nis shumë shpejt që në minutën e 18, me Herlovsen që zhbllokon rezultatin.

Dominimi i Norvegjisë vijon në lojë, pasi luhet në një portë, dhe golat e radhës janë cështje kohe. Mjelde në fillim dhe më pas Hansen e cojnë rezultatin 3-0. Në sekondat e fundit të pjesës së parë është Herlovsen që e con rezultatin 4-0 me Norvegjinë që duket në rrugën e duhur për të përsëritur suksesin me goleadë të arritur në Sarpsborg në ndeshjen e parë. Pjesa e dytë nis si e para me furinë nordike që do të rikthehet në konkretizim në minutën e 60, kur në harkun e 6 minutave do të shënojë tre gola. 19-vjecarja Ada Hergerberg shënon një dygolësh përpara se Mjelde të shënojë golin e dytë personal dhe të 7 e takimit. Një minutë më pas regjistrohet i vetmi rast për vajzat tona, që me anë të Xhemile Berishës tentojnë portën e Norvegjisë, që nga ana e saj vijon të luajë me gazin në maksimum pavarësisht rezultatit të arritur. Dhe këmbëngulja do të sjellë edhe 4 gola të tjerë, në minutën e 82 është Herlovsen që kompleton tregolëshin e saj për ta cuar në 8-0 rezultatin. Më pas Haavi, Hansen dhe Enget në kohën shtesë fiksojnë shifrat 0-11, për të regjistruar humbjen më të thellë të përfaqësueses sonë.

/supersport/

You must be logged in to post a comment Login