Një nga kampionati: Ylber Ramadani

aSport– Nëse 3 të dhëna formojnë një provë, atëherë është fakt që Partizani, me Ylber Ramadanin ka fituar një lojtar të madh në mesfushë.

E dhëna e parë u pa në korrik, kur të kuqtë eleminuan në Champions League hungarezët e Ferencvaros. Në ndeshjen e kthimit në Groupama Arena 20 vjeçari i lindur në Ferizaj qe ndër më të mirët dhe protagonist kryesor në arritjen historike për 15 herë kampionët e vendit.

E dhëna e dytë u pa në derbin e fazës së parë me Tiranën: 45 minutat e para të takimit u dominuan nga bardheblutë. Në të dytën muzika e takimit ndryshoi kur ish-trajneri Sormani zëvendësoi Bertoni-n me Ramadanin në rolin e mesfushorit qendror. Të kuqtë morën kontrollin e mesit të fushës e me pak fat mund të merrnin edhe fitoren. Ish-lojtari i Dritës sërish një ndër më të dalluarit në fushë.

E dhëna e tretë në ndeshjen me Skënderbeun dy javë më parë: si rrallëherë këtë sezon, Ramadanit i besohet një fanellë titullari. Lojtari i kombëtares tonë U-21 shpërblen besimin e trajnerit me një paraqitje në kufijtë e perfektes – perfekte nëse do e dërgonte topin në rrjetë në mundësinë që krijoi në minutat shtesë të takimit – në mesin e fushës.

Ruan pothuajse të njëjtin ritëm gjatë gjithë 90 minutave të lojës, fiton duelet me Sabien Lilajn e Orelesin dhe ushtron presing të vazhdueshëm ndaj kundërshtarëve. Me aftësitë e vëna në dispozicion të ekipit ndihmon shokët e repartit të shtyjnë përpara dhe Partizanin të mos vuajë thuajse asnjëherë presionin e Skënderbeut.

Ramadani nuk është fantazist apo tipi i lojtarit që vertikalizon lojën, megjithatë vështirë t’a humbë ndonjëherë topin. Bën përherë zgjedhjen e duhur dhe me saktësinë në pasime bën të duken të thjeshta gjërat e vështira.

Në janarin e vitit të kaluar Ylber Ramadani firmosi një kontratë 3-vjeçare me Partizanin. Në rast se do i jepen më shumë hapësira (këtë sezon në 8 ndeshje që është aktivizuar, 5 i ka nisur nga stoli) kalimi në një kampionat më të fortë nuk do vonojë. Ramadanin shpejt mund t’a shikojmë edhe në kombëtaren e madhe: dikush stilin e tij të lojës e krahason me atë të Burim Kukelit…

You must be logged in to post a comment Login