Një nga kampionati: Dejvi Bregu

aSport– Kur kampionati ndalet për t’i lënë hapësirën futbollistike impenjimeve të skuadrës kombëtare, është koha më e përshtatshme për të bërë disa llogari përsa i përket javëve që janë luajtur: ekipet më në formë, futbollistët më të dalluar, suprizat e sezonit apo zhgënjimet e tij.

Kur përpara fillimit të sezonit aktual publikuam profilin e Luftëtarit të Gjirokastrës, parashikuam vlonjatin Dejvi Bregu si lojtarin më vendimtar të skuadrës.

Konkretisht fjalët që përdorëm ishin: “Dejvi Bregu është lojtari te i cili varen shpresat më të mëdha të tifozëve gjirokastritë. Vlonjati 20 vjeçar (sh.red. tashmë 21) do të nisë sezonin e tij të dytë në radhët e bluzinjve. Në kategorinë superiore ka debutuar me Flamurtarin, skuadrën e qytetit të origjinës, duke arritur të shënojë 5 gola në 12 takime në kampionatin 2015-15. Në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar u bashkua me Luftëtarin, duke u bërë një nga pikat më të forta të skuadrës.”

Bregu jo vetëm që i është përmbajtur parashikimit por duhet thënë se e ka tejkaluar atë. Me numrin 21 mbi supe, duket si një Dybala në qytetin e gurtë, duke ndëshkuar me goditjet e tij potente as më pak e as më shumë se Tiranën e Partizanin.

Forma në rritje e vlonjatit është ndërthurur më së miri me taktikat e zgjedhura çdo javë nga trajneri Mladen Milinković, duke bërë të mundur shndërrimin e Luftëtarit në një prej skuadrave më simpatike të kategorisë superiore dhe ndër ekipet më të vështira për t’u mundur.

Kampionati është ende i gjatë dhe verdiktet do jepen muaj më vonë, por në rast se ritmi ruhet atëherë gjirokastritët do t’a kenë më të lehtë qëndrimin në kategori. Ndërsa Bregun, mosha e lejon të provojë (ndoshta) edhe një tjetër përvojë me kombëtaren shqiptare U-21.

 

 

You must be logged in to post a comment Login