Mërgim Berisha, talenti që ka hapur luftën mes 4 federatave

aSport – Mërgim Berisha është prej kohës një emër i njohur në rrethet e ngushta të zbuluesve. Dy vite më parë, kur debutonte në moshën 16-vjeçare me Liefering, djaloshi shënonte golin e parë pas vetëm 50 sekondash. Kaq duhej që Red Bull Salzburg të vihej në gjurmët e tij dhe ta afronte në akademi.

Pesë golat e djeshëm kundër Kairat nuk janë më çudi. 18-vjeçari është kryegolashënuesi i Uefa Youth League dhe forma e tij po e afron dita ditës me ekipin e parë. Jo vetëm në Europë ka aromë goli për të. 15 gola në 18 ndeshje ka shënuar ai për ekipin e dytë të Salzburg në ligën e dytë austriake. Shifra të frikshme, sidomos kur kujton miqësoren e verës mes Salzburg e Leipzig. 4-4 përfundoi, tre gola vetëm nga Berisha.

E ardhmja e tij duket e artë, por ku? Berisha vjen nga Kosova, ka lindur në Gjermani dhe zotëron pashaportë shqiptare. “Shqipëria më kërkoi, por isha i dëmtuar. Nuk e di ku do luaj, por nuk do e kisha problem të përfaqësoja edhe Kosovën, Gjermaninë apo Austrinë”, thotë ai. Shumë zgjedhje në dorën e sulmuesit, që të ardhmen e sheh si mesfushor i avancuar.

Vetë revista gjermane SportBild, në një shkrim për të paralajmëron Federatën Gjermane të Futbollit : Kujdes mos të ta “vjedhin!”

You must be logged in to post a comment Login