Mënjanimi i Dervishit dhe mungesa e programacionit në klubet shqiptare

aSport– Dritan Dervishi u bë i njohur në futbollin shqiptar sezonin e shkuar. Me një të kaluar profesionale në Itali, si zbulues talentesh te Varese dhe Verona, në tetor të vitit 2015 ai u emërua drejtor i përgjithshëm te Partizani. Gjithmonë risitë priten me skepticizëm, sidomos në një klub me presion të madh e ku titulli mungon prej shumë vitesh si ai i Partizanit.

Megjithatë Dervishi e bëri të qartë me vepra filozofinë e tij të punës. Në merkaton e janarit afroi te të kuqtë lojtarë si Sodiq Atanda, Realdo Fili, Filipe Gomes, Agustin Torassa, Ylber Ramadani, Mario Dajsinani.

Politika e tij ishte ajo e afrimit të talenteve më të spikatur nga ekipet e ashtuquajtura të vogla dhe blindimi i tyre me kontrata aftagjata. Nën drejtimin e Dervishit organika e Partizanit uli ndjeshëm moshën mesatare të futbollistëve në përbërje duke rritur njëkohësisht cilësinë.

Gjithashtu për herë të parë në merkaton shqiptare u eksperimentua me sukses huazimi i një lojtari të huaj nga një skuadër e huaj, siç qe rasti i brazilianit Filipe Gomes nga Perugia.

Falë intuitës së drejtorit deri atëherë të panjohur, në arkat e Partizanit u shtua edhe një shumë e konsiderueshme parash për kalimin e Amir Rrahmanit te kroatët e RNK Split.

Forca e Dervishit ishte programacioni dhe ndërtimi i një skuadre që të ishte e aftë të përmirësohej me kalimin e kohës duke përfituar nga rritja e futbollistëve të talentuar të afruar më parë e pse jo më pas të shiteshin në klube jashtë vendit.

Por puna e drejtorit të përgjitshëm nuk u vlerësua nga Partizani dhe me përfundimin e sezonit presidenti i klubit nuk ja rinovoi besimin.

Largimi i Dervishit gjeti të papërgatitur edhe të kuqtë, pasi deri atëherë gjithçka ishte e programuar, madje ishin piketuar edhe afrimet për sezonin e ri, atë aktual.

Dritan Dervishi gjeti shpejt skuadër, u emërua drejtor sportiv te Kukësi, ndërsa Partizanit ju desh pak kohë për të gjetur stabilitetin.

Tifozët e kuq nuk e harruan, madje në ndeshjen e parë kualifikuese në Champions, atë me Ferencvaros në Elbasan, ata shpalosën një banderolë ku lexohej thjesht: “D. Dervishi, faleminderit për Champions”.

Partizani arriti të kalojë në turin e parë kampionët e Hungarisë dhe protagonistë të rëndësishëm të kualifikimit historik qenë të rinjtë e talentuar Realdo Fili dhe surpriza Ylber Ramadani, të afruar në skuadër pikërisht nga Dervishi.

Puna e Dervishit vijoi te Kukësi ku ndoqi të njëjtën mënyrë të vepruari, atë të afrimit të lojtarëve të spikatur nga skuadrat e vogla: Sindrit Guri nga Korabi, golashënuesi më i mirë i kategorisë së parë, sa për të përmendur një emër.

Kukësi arriti të kalojë në turin e parë të Europa League malazezët e Rudar Pljevlja, fitoi Superkupën e Shqipërisë duke mundur në finale Skënderbeun dhe pas 7 javëve kampionat skuadra ende nuk ka njohur humbje.

Pavarësisht rezultateve Dritan Dervishi vetëm dy ditë më parë u largua nga puna e tij si drejtor i klubit verilindor, me pretendimin nga presidenti i Kukësit se ishte i paaftë për të kryer detyrën e tij.

Në kampionatin shqiptar Skënderbeu dominon prej afërsisht një dekade falë programimit, stabilitetit në drejtim dhe ruajtjes së grupit të lojtarëve. Klubet që përpiqen t’a rivalizojnë nuk e kanë kuptuar ende.

 

You must be logged in to post a comment Login