Mavraj, Abrashi, Hadërgjonaj : Notat e shqiptarëve të Bundesliga-s

aSport – Tre ndeshje të nxehta ishin në plan për lojtarët shqiptarë në Bundesliga këtë javë dhe të tre e nisën nga minuta e parë.

Mërgim Mavraj përballej me Köln-in e tij me Borussia Mönchengladbach në “Rheinisches Derby”, një nga duelet më të vjetra dhe të nxehta të Gjermanisë. Edhe pse Köln fitoi 1-2, vlerësimi për Mavraj ishte “kalues.” Kölner Stadt Anzeiger shkruan : “E filloi me mungesë përqëndrimi teksa humbte Hazard-in nga sytë në minutën e pestë. Më pas ishte më i vëmëndshëm në lojë dhe fundi i shumë sulmeve të Gladbach, deri tek momenti i golit, kur qëndroi shumë larg Stindl.”

Abrashi nga ana tjetër udhëtonte drejt Mainz në atë që do të bëhej ndeshja më spektakolare e Bundesliga-s për këtë javë. Në humbjen 4-2 të Freiburg, e cilësuar e pamerituar nga kritika, Abrashi ishte ndër më të dalluarit. “Aty ku ndizet loja, gjendet dhe Abrashi. Edhe pse nuk ka fizikun e tillë, ai është truproja e lojës së Freiburg. Kundërshtari nuk hyn lehtë në zonën e rrezikshme, e interpreton rolin e tij si kujdestar të mbrojtjes me shumë përkushtim. Nuk i shmanget asnjë dueli, qoftë fizik apo verbal. Një kritikë : edhe në lojën sulmuese mendon në mënyrë mbrojtëse”, shkruan Badische Zeitung për mesfushorin.

Me trajner të ri dhe me një detyrim fitoreje, Florent Hadërgjonaj ishte në formacion për herë të dytë këtë sezon, teksa Ingolstadt udhëtonte drejt Darmstadt. Fitorja u arrit, edhe pse e vuajtur dhe me vetëm një gol, por nota për Hadërgjonaj ishte “kaluese”, sipas vlerësimit të Donaukurier. “Për shkak të pezullimit të Tobias Levels, Hadërgjonaj u kthye automatikisht në formacion. Bëri një ndeshje të pranueshme në mbrojtje, por në sulm nuk i tregoi dot kualitetet e tij.”

 

You must be logged in to post a comment Login