Manchester City në gjurmët e Rilind Nivokazit

aSport– Emri i Rilind Nivokazit këshillohej dje nga e përditshmja italiane La Gazzetta dello Sport si një ndër talentet për t’u patur parasysh në skuadrat e moshave të Atalanta-s. Nivokazi, i lindur në Peruxha të Italisë më 26 janar 2000, është një shqiptar nga Kosova që ka zgjedhur të përfaqësojë Italinë U-17, me të cilën është aktivizuar në 4 ndeshje. Madje me fanellën e kaltër veshur, më 26 tetor, luajti 8 minuta ndaj bashkëmoshatarëve të tij të Shqipërisë, sfidë e fituar nga Italia me rezultatin 1-0.

Rilind Nivokazi luan në rolin e sulmuesit dhe është i gjatë 184 cm. Hapat e parë në futboll i hodhi në skuadrën e Montemalbe Ellera, provincë e Peruxhas, ku me golat e shumtë (48) ra në sytë e zbuluesve të Atalanta-s. Kalimi te skuadra bergamaske vjen në vitin 2014. Nivokazi ndryshon skuadër por jo “vesin”: vijon të shënojë me të njëjtat ritme. Aftësia për të gjetur rrjetën i bën të mundur grumbullimin me kombëtaret e moshave të Italisë dhe interesimin e skuadrave të mëdha të kontinentit.

Muajin e kaluar në mediat italiane përflitej se interes për shërbimet e sulmuesit kanë shfaqur edhe gjigandët anglezë të Manchester City. Sipas asaj që pasqyrohej në shkrime të ndryshme, Nivokazi nuk ka firmosur një kontratë profesionale me Atalanta-n ndaj edhe kalimi i tij në Angli mund të bëhet më i lehtë sesa mendohej. Pyetja është: a ka ende shanse të veshë një fanellë kuqezi në të ardhmen?

You must be logged in to post a comment Login