Lorik Cana trajner i Skënderbeut

aSport– Fillimisht duhet theksuar se shkrimi është hipotetik. Skënderbeu e ka trajnerin, quhet (akoma) Andrea Agostinelli, ndërsa Lorik Cana ende nuk është pajisur me liçensën e nevojshme për të drejtuar një skuadër në kampionatin shqiptar, më saktë në kategorinë superiore.

Por, ka gjithmonë një por… Rezultatet e korçarëve në javët e fundit janë në rënie, distanca me skuadrat ndjekëse është ngushtuar ndjeshëm dhe pozitat e italianit 59-vjeçar në krye të pankinës së kampionëve janë më shumë se lëkundur.

Në media e në rrjete sociale flitet se shkarkimi – ose ndërprerja e bashkëpunimit – i Agostinelli-t është çështje orësh dhe emrat që përfliten për t’a zëvendësuar janë ata të Ilir Dajës e Redi Jupit.

Redaksia e aSport “rrezikon” duke shtuar edhe një tjetër alternativë në listën e kandidatëve: atë të ish-kapitenit të kombëtares, Lorik Cana.

Edhe pse jo zyrtarisht, Cana duket se i ka dhënë lamtumirën futbollit të luajtur. Në muajin shtator, 33-vjeçari ka nisur kursin e trajnerëve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit çka të bën të mendosh se shumë shpejt gjakovari do të nisë përvojën e parë si trajner.

Stoli i Skënderbeut (në rast se lirohet) do të ishte ideali për një emër si Cana, për shumë arsye, të cilat provojmë t’i radhisim më poshtë:

– Korçarët janë ekipi favorit për të fituar titullin kampion. Grupi cilësor i lojtarëve dhe eksperienca e tyre në fitimin e trofeve janë një garanci. Ku ka më mirë se të fitosh kampionatin në debutimin si trajner. Një fillim i tillë karriere do të ishte plus i madh për kurrikulumin e Canës dhe dëshirën e tij për të trajnuar në Europë në të ardhmen.

– Miqësia me Shkumbin Qormemetin, agjent i pjesës më të madhe të lojtarëve të Skënderbeut. Afrimiteti i ish-kapitenit me menaxherin do të ndihmonte reciprokisht si klubin ashtu edhe vetë Canën. Për të parët do ishte më i thjeshtë promovimi i futbollistëve të rinj (ndër të tjera një nga arsyet e krisjes me Agostinelli-n) ndërsa për të dytin do të ishte më i vogël presioni në përvojën e parë në krye të stafit teknik të një skuadre.

url

– Gjetje marketingu dhe përmirësim imazhi. Për Skënderbeun emërimi i Canës si trajner do të ishte një goditje në aspektin mediatik. Ish-kapiteni është një personazh i cili bën përherë të flitet për të, sidomos në arenën ndërkombëtare. Në rast fitimi të kampionatit, pjesëmarrja në Champions League (pas pezullimit në verën e kaluar) me një emër si Cana në stol do të ishte garanci besueshmërie e serioziteti.

Ritheksojmë: i gjithë shkrimi bazohet mbi hipoteza e nuk ka asnjë informacion zyrtar mbi një marrëveshje të mundshme mes Skënderbeut e Lorik Canës.

 

 

You must be logged in to post a comment Login