Llullaku shënon përsëri për Gaz Metan-in

Azdren Llullaku është fenomeni i vërtetë i futbollit shqiptar. Sulmuesi i Gaz Metan-it shënoi sot golin e tij të 13 (në 16 ndeshje sezonale) të luajtura në kampionatin rumun, në barazimin 1-1 që ekipi i tij mori në fushën e vështirë të Vitorul-it.

Dy skuadrat janë rivale për një vend në Ligën e Europës, ku aktualisht renditen në vendin e tretë dhe të katërt. Për këtë arsye rezultati i sotëm është shumë i rëndësishëm për Gaz Metan-in, i cili pas një fillimi shumë të keq të kampionatit, është kthyer në një rival shumë të fortë për çdo kundërshtar.

Llullaku kishte një mundësi të shkëlqyer shënimi që në minutën e 18 të ndeshjes, kur u shfaq i vetëm para portierit kundërshtar, por duke u munduar që të kalonte topin mbi të, e dërgoi shumë lart mbi traversë. Gjithsesi, ai arriti të shlyente gabimin një minutë më vonë, kur realizoi pas ekzekutimit të një goditje këndi, duke shtyrë topin në rrjetë pak hapa larg portës.

You must be logged in to post a comment Login