Livio Malaj, nga Besëlidhja tek Olympiacos-i

aSport – Futbollit shqiptar asnjëherë nuk i kanë munguar talentet, madje ka “material” edhe për eksport. I fundit rast është ai i Livio Malajt, 15-vjeçarit që do të jetë pjesë e akademisë së Olympiacos-it. 191 cemtimetra në shtat dhe 78 kilogramë në peshë, Livio shihet si një ndër portierët më premtues, i gatshëm të bëjë kapërcimin e madh në karrierë.

Pasioni për portën

Janë fort të rrallë ata fëmijë të dashuruar me futbollin që ëndërrojnë të mbrojnë portën; pjesa dërrmuese e sheh veten duke bërë gola si Mesi e Ronaldo. Por nuk është ky rasti për djaloshin nga Lezha. E për këtë ai ka një arsye të fortë: “Me portën më ka lidhur shumë gjyshi, të cilit, për shkak të një dëmtimi në moshë të re, iu desh ta linte futbollin. Kështu atij i mbeti peng, ndaj ma futi mua në gjak rolin e portierit”, shpjegon Livio në një rrëfim për aSport.

Por roli i gjysh Toninit nuk është mjaftuar vetëm me ndezjen e shkëndijës së parë. Ai ka qenë personi që i ka qëndruar pranë dhe e ka ndjekur nipin në çdo hap të karrierës. “E kam ndjekur Livion qysh në hapat e para jo thjesht si gjysh, por edhe si menaxher i tij”, thotë Tonin Malaj.

Hapat e para portieri i ri i hodhi në moshën shtatë vjeçare, kur nisi të stërvitej me ekipet e moshave të Besëlidhjes për pesë vjet. Duke mos pasur një trajner portierësh që mund të punonte me të, u transferua në Shkodër te klubi privat “Rozafa”, ku u stërvit nga ish-portieri i Vllaznisë, Isa Sukaj. Sezoni 2013-2014 ishte më i mbari, pasi përveçese u shpall kampion i U-13 në rajonin e Veriut, Livio u vlerësua si portieri më i mirë nga Federata Shqiptare e Futbollit. “Kështu u shpërblye mundi e sakrifica ime dhe e familjes, ku bashkë me gjyshin ose babanë shkonim çdo ditë nga Lezha në Shkodër”, thekson futbollisti.

“Pas disa muajsh – vijon rrëfimin ai-, transferohem tek akademia ‘Internacional Tirana’ në kryeqytet. Aty gjeta kushtet e nevojshme, me një staf të përkryer drejtues dhe teknik. Bëja mbi 100 kilometra në ditë nga Lezha në Tiranë e kthim, por edhe kjo sakrificë m’u shpërlye pas dy vitesh kur u thirra nga trajneri i kombëtares U-17, Dzemal Mustedanagic. Për mua ishte një ëndërr e realizuar dhe që shpresoj të zgjasë sa më shumë, deri në kombëtaren A”.

Edhe pse vetëm 15 vjeç, Livio Malaj dalëngadalë po e fiton vendin e titullarit në ekipin përfaqësues U-17. Ai është thirrur në katër grumullime nga trajneri Mustedanagic, i fundit në turneun e Kazakistanit. Ndërkohë gjyshi-menaxher nuk harron të nënvizojë faktin që Livio “ishte titullar te skuadra U-17 e Internacionalit qysh në moshën 13-vjeçare. Pati fat që punoi me një trajner si Efstrat Billa”.

Fati troket në portë

Paraqitjet e shkëlqyera me kombëtaren nuk mbetën pa u vënë re, dhe më 25 maj, pikërisht në ditëlindjen e 15-të të Livios, në telefonin e Tonin Malajt erdhi një thirrje nga një numër i panjohur. “Ishte një zbulues grek talentesh, i cili na ftoi për një provë te Olympiacos-i”, rrëfen Tonini. “Aty na pritën shumë mirë, dhe mjaftuan vetëm dy ditë provë që drejtuesit e akademisë të bindeshin. Kështu ata i ofruan Livios një parakontratë për një vit, të cilën ai e firmosi më 16 gusht, me mundësi për të nënshkruar si profesionist kur të mbushë 16 vjeç. Na ofruan edhe të transferoheshim në Pire si familje, por nuk pranuam”.

Tek ekipet e moshave të Olympiacos-it, Malaj ka rival hiç më pak se djalin e legjendës greke të portës, Antonis Nikopolidis, aktualisht trajner i përfaqësueses U-21. Megjithatë Livio nuk ka frikë dhe, sipas pritshmërive edhe të drejtuesve të akademisë, synon të kalojë në ekipin e parë brenda tri vitesh. “Shpresoj t’i ngjis shkallët e karrieres me radhë, si tek Olympiacos-i dhe te kombëtarja”, shprehet portieri i ri.

Gjatë provës në Greqi, i pranishëm ka qenë edhe ish-portieri i kombëtares kuqezi, Foto Strakosha: “Në të gjitha seancat ku u provova ishte i pranishëm, pasi përveçse zëvendëstrajner dhe përgatitës i portierëve tek U-20, Strakosha është përgjegjës për të gjithë portierët e akademisë”. Tonin Malaj zulon edhe një detaj gjatë tre muajve të tratativave me klubin grek: “Ndërkohë që negocionim me Olympiacos-in, na kontaktoi edhe Dinamo e Zagrebit. Por midis një akademie prestigjoze dhe një klubi të madh, vendosëm të zgjedhim këtë të dytin”.

Me shpresën që ëndrrat të bëhen realitet dhe gjurmët e Livios t’i ndjekin edhe të tjerë talente…

You must be logged in to post a comment Login