Lideri i nënvlerësuar

aSport – Shpesh herë në formacionin e javës në Gjermani, madje rregullisht. Mërgim Mavraj është një nga emrat kryesorë përse 1.Fc Köln gjendet në krye të Bundesliga-s dhe ka pësuar vetëm 6 gola. Por pavarësisht vlerësimit me nota, lavdet ndaj 30-vjeçarit nuk kanë qënë të shumta. Por përse?

Përgjigja është e thjesht. Stili i tij i lojës, që e bën ndër mbrojtësat më të mirë në Bundesligë, është ai që i jep pak vlerësime. Mavraj nuk është mbrojtësi spektakolar, por mat çdo metër që bën dhe çdo ndërhyrje që kryen. Edhe pse jo më i shpejti, zv/kapiteni i Shqipërisë i zgjidh shumicën e problemeve duke i paraprirë situatës. Mjafton të shikosh kartonat e verdhë, vetëm 2 për të në gjithë 2 vitet tek Köln.

Puna e mbrojtësit nuk është e vetmja që ai bën më së miri. Statistikat e lojës me top janë mbresëlënëse. 89% e pasimeve të tij janë të sakta, shifër që është 12% më e lartë se mesatarja e ekipit dhe e vendos në një nivel me mbrojtësat e Bayern-it. Paraqitjet e tij fantastike, duke mos humbur asnjë minutë këtë sezon të ri, vetëm pak muaj pasi në janar ishte pranë largimit prej minutazhit të pakët kanë shtuar presionin tek klubi i “karnavaleve.” Tifozët dhe mediat po bëjnë presion për një rinovim të kontratës të Mavraj, e cila skadon në fund të sezonit.

Vetë ai është gati për një rinovim, e ka shprehur hapur. Klubi gjithashtu nuk kërkon ta lëshojë. Vlerësimi për të pritet të vijë së shpejti edhe me kontratën e re, pasi atë të tifozëve ai e ka fituar me kohë.

You must be logged in to post a comment Login