Kukësi është i pari

aSport– Na ka mësuar me suksese në Europë por tani Kukësi po kërkon të thotë fjalën e tij edhe në kampionatin shqiptar të futbollit. Me fitoren e djeshme 3-1 ndaj Vllaznisë, verilindorët janë ngjitur në vendin e parë të tabelës së klasifikimit duke i bërë të ditur rivalëve se në luftën për titull janë edhe ata protagonistë.

“Kur zihen dy përfiton i treti”; me dy i referohemi polemikave të vazhdueshme mes klubeve të Skënderbeut e Partizanit ndërsa i treti që përfiton është Kukësi, i cili në heshtje i parakalon të dy në renditje. Me 5 fitore dhe 5 barazime në 10 javë kampionat, skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka tashmë është e para, me po aq pikë sa Skënderbeu i Korçës por me një golavarazh më të mirë.

Nga sezoni i kaluar u larguan dy mbrojtës titullarë, kapiteni Malota dhe anësori Mici, por mungesa e tyre është zëvendësuar më së miri nga zbulimi Albi Alla dhe i shumëshëtituri Entonio Pashaj. Në mesin e fushës mbizotëron fantazia mes kombinimeve të Nijaz Lenës dhe Edon Hasanit, ndërsa sulmi është një histori më vete: golashënuesi i pashtershëm Pero Pejiç është luks për turneun dhe fat për Kukësin. Të parët me meritë.

You must be logged in to post a comment Login