Kualifikueset / Shqipëria U-21 i mbyll me humbje, FSHF-ja e injoron

aSport – Shqipëria U-21 i mbyll me  një disfatë të thellë kualifikueset e Kampionatit Europian 2017 që do të luhet në Poloni. Kuqezinjtë u mposhtën sot 4-0 nga Izraeli në ndeshjen e fundit për Grupin 4.

Vendasit ishin dominues nga fillimi në fund dhe gjetën avantazhin me Gozlan-in në të 18-n. Altman dyfishoi dy minuta para pushimit, ndërsa “pokeri” u plotësua nga Biton (55’) dhe Hugy (70’).

Me këtë humbje Shqipëria e mbyll grupin në vendin e katërt me 12 pikë, duke lënë pas vetëm Hungarinë në të njëjtën kuotë dhe Lihtenshtejnin me zero. Portugalia kualifikohet në fazën finale, kurse Izraeli e mbyll sipër Greqisë, në pozitën e dytë.

Në ndeshjen e sotme trajneri Redi Jupi kishte bërë shumë ndryshime nga formacioni i zakonshëm, duke qënë se Shqipëria nuk kishte më shpresa për t’u kualifikuar. Por ajo që bie në sy është injorimi që Federata Shqiptare Futbollit i kishte bërë këtij takimi, duke mos publikuar asnjë informacion, madje as listën e lojtarëve të grumbulluar.

You must be logged in to post a comment Login