Kualifikimi historik: notat e Partizanit pas ndeshjes me Ferencvaros

aSport- Nga një skuadër që ka bashkëjetuar me zhgënjimet e sakrificën në 20 vitet e fundit të historisë së saj 70-vjeçare, nuk mund të presësh një kualifikim me dominim. Partizani tashmë i ka mësuar me vuajtjet tifozët e tij të shumtë dhe i bën krenar në Budapest në një mbrëmje korriku e destinuar të kthehet në të paharrueshme.

Hoxha 9 – Bën  atë që të kuqtë e ëndërrojnë prej vitesh. I ndihmon të kalojnë një tur për herë të parë në turneun më të rëndësishëm për klube. Shënon penalltinë e tij me një ftohtësi fantazisti dhe i hap rrugën kualifikimit historik duke pritur tre të kundërshtarëve. I shkelqyer.

Ibrahimi 7 – I  fuqishëm deri në minutën e 120’ . Kryen një volum të madh e bën nervoz kundërshtarin e tij, Ramirez. Autogoli në rastin e barazimit vjen nga një krosim i Labit. I pagabueshëm në mbrojtje dhe mjaft i qëndrueshëm. Vendimtar.

Krasniqi 6,5 – Luan një ndeshje pozitive. Një kohë vonesë tek penalltia i ul pikë  në vlerësimin tonë edhe pse shfaqet i sigurtë në pjesën më të madhe të lojës. Pozitiv.

Arapi 6,5 – Koordinohet mirë me qëndrën tjetër si edhe me anësorin e majtë. Vonon në të paktën dy dublime, por eksperienca e tij e sjell në rekuperime të rëndësishmë. I nevojshëm.

Kalari 6 – Mbrojtësi i majtë zhvillon një ndeshje në ritme te kënaqshme. Kapaciteti i tij është mbi mesatar por shfaqet në konfuz në faza të caktuara. I mungon teknika por është për t’u lavdëruar sakrifica e fryma pozitive që mundohet të përjcellë.

Ramadani 7,5 – 20-vjeçari kosovar mund të konsiderohet pa frikë gjetja e këtij Partizani. Mikson një amalgamë të përkryer në mesin e fushës. Digë e pakalueshme në fazën mbrojtëse. Zbulim.

Vila 5,5 – I pafat si shpeshherë. Gabon penalltinë dhe kryen një ndeshje në ritëm të pamjaftueshëm. Voluminoz në mungesë të zotërimit të topit por çalon mjafton në fazën tranzitore të sulmit. I paqartë.

Trashi 7 – Ndodhet përherë pranë topit dhe e ka atë nën kontroll më shumë se gjithkush tjetër. Voluminoz në zona të vogla edhe pse ka vend për t’u përmirsuar në hapësira më të mëdha. Mundohet të marrë përsipër skuadrën në momentet e vështira. Lider.

Torassa 6 – Argjentinasi vuan ritmin e lartë. I mungon goli. Mjaft i fortë në dyluftime por e pamjaftueshme për një notë më pozitive. Ndihmon shumë pak sulmin e nuk godet asnjëjerë portën.

Fili 6,5 – Nuk është në ditën e tij më të mirë. Humbet një rast duke mos realizuar siç duhet parabolën. Kryen lëvizje mjaft të mira në majën e sulmit por duket pak i sforcuar në atë rol. Gjithsesi për t’ përshëndetur sakrifica që jep për ekipin. Mjaft i vlefshëm.

Atanda 6 – I mungojnë minutat. Ka dëshirë për të luajtur e kjo e bën të dalë nga detyrat në disa dyluftime edhe pse fiton mjaft prej tyre. Vendosja në pesë e mbrojtjes për minuta të tëra favorizon lojën e Atandës. I penalizuar në minutazh.

Bardhi 6 – Talenti i tij nuk arrin të shprehet nën presion. Vonon mjaft pasimin e kjo e bën joefektiv në mjaft situata. Elegant me topin por ka nevojë për më tepër përkrahje nga ekipi. Premtues.

Ekuban 6 – Është vetëm ndeshja e dytë me Partizanin, por Ekuban jep sinjale premtuese. Kryen shpërthime sporadike por të rëndësishme. Duket që është mbrapa me përgatitjet. I ftohtë tek penalltia. Për t’u rivlerësuar.

Batha pa notë – U dëmtua dhe pati pak minuta në dispozicion për të shpalosur aftësitë e tij.

Sormani 7,5 – Fituesi nuk gjykohet. Ndeshja e dytë në stolin e Partizanit dhe i kualifikon të kuqtë për herë të parë në një tur të Champions League. Lexon mirë situatat e lojës dhe nuk gabon në zëvendësime. I saktë.

You must be logged in to post a comment Login