Koment | Ka ardhur koha të dimë si të jemi “superiorë”

aSport – Kur grupi i eleminatoreve për Francë 2016 u caktua, të gjithë ulën kokën. Grup i vështirë, shumë pak shans. E shihnim veten në një nivel me Armeninë dhe më të dobët se të tjerat. Por nuk patëm frikë, u kualifikuam duke shfrytëzuar mjaft mirë atë që na sollën situatat e lojës.

Edhe në Europian situata nuk ndryshoi. Ne ishim jo favoritë dhe luftuam me dinjitet për të marrë ato rezultate që për pak na çuan përtej grupit. Ne ishim inferiorë në aftësitë futbollistike, por e luajtëm mjaft mirë atë rol.

Grupi eleminator i Rusi 2018 është një grup tjetër, mbase më i vështirë për të kaluar më tej, pasi kalojnë vetëm dy dhe ky grup i ka dy pretendente, por dhe më i lehtë sepse kemi plot tre skuadra më të dobta në letër se ne. Mund të jetë hera e parë në histori që e themi këtë gjë dhe duke parë statusin e fituar në dy vitet e fundit, presioni është më i lartë.

Por problemi nuk është vetëm presioni, problemi gjendet diku tjetër. Pas dy vitesh pa pasur nevojë ta bënim, ka ardhur sërish koha që ne të kemi ndeshje ku na duhet të marrim rolin e superiorit, kur ne jemi favoritët dhe duhet të kërkojmë fitoren. Kur ne nuk duhet të presim prapa, por të kërkojmë përpara. Kur kundërshtari të na presë me 11 lojtarë dhe ne të përdorim klas e tru për të gjetur hapësirat. Na është dashur dhe në të shkuarën ta kemi këtë rol e jo pak herë kemi dështuar. Ndeshjet me Marokun dhe Maqedoninë treguan se problemi është përsëri aty.

Edhe pse mbase është për të qeshur, ndeshet më të lehta për ne janë ato kundër Spanjës dhe Italisë. Taktika në të cilën është formuar kjo skuadër i përshtatet më mirë “pritjes” dhe është më lehtë e zbatueshme kundër ekipeve të mëdha. Shqipëria nuk duket e gatshme të ndërtojë dhe problemet janë madhore kur kundërshtari na sulmon në qarkullimin e topit. Maqedonia i zbuloi këto mangësi dhe ne nuk ditëm të reagonim.

Sigurisht një pikëpyetje vendoset edhe tek zgjedhjet e trajnerit si dhe te mungesa e lojtarëve krijues, të cilët shpesh herë janë cilësuar të “paaftë të luajnë lojën e tij.” Momenti ka ardhur që trajneri të luajë lojën e tyre, pasi në të kundërt, llogaritë janë të pamundura për ne.

Nëse duam të kemi një shans për të bërë mrekullinë në këtë grup dhe të ndajmë dyshen Spanjë-Itali nga njëra-tjetra, duhet të fillojmë të luajmë rolin “superiorit” ashtu siç bëjmë atë të “inferiorit.” Nëse duam të kemi një shans, duhet që, ashtu si dhe Spanja e Italia, mos i falim ato pikë të destinuara në letër për ne dhe ta kërkojmë mrekullinë në duele direkte. Ka ardhur koha të dimë si të jemi superiorë, tani përpara se nesër të na “shkasë këmba” dhe çdo shans të bëhet shkrumb e hi.

You must be logged in to post a comment Login