Katalanasi Balliu : Gati për tu veshur kuq e zi

aSport – Kombinim më të rrallë është e vështirë të gjesh. Një shqiptar nga Katalonja, ky është Ivan Balliu. Aq interesant është rasti i 24-vjeçarit, sa edhe emri i tij shkruhet spanjisht, Iván. Në fakt, për ta mbyllur entuziasmin tonë për këtë temë, emri i tij i plotë është Iván Balliu Campeny.

I lindur në Caldes de Malavella nga një baba shqiptar dhe një mama katalanase, Balliu u bashkua shpejt me akademinë e Barcelonës, kur ishte 13 vjeç. Pas 8 vitesh dhe 53 ndeshjeve me ekipin e dytë, mbrojtësi i krahut vendosi të largohej drejt Arouca e më pas drejt Metz në Francë, ngjyrat e së cilës i mbron prej verës 2015.

“Nuk e di historinë e plotë të familjes. Di vetëm që paraardhësit e mi erdhën nga Shqipëria në Spanjë. Babai po mundohet të ndërtojë gjithë rrjedhën e ngjarjeve”, tregon ai për Transfermarkt. 3 herë ka luajtur numri 25 i Metz për kombëtaren u16 dhe u17 të Spanjës, por sytë e tij tani janë drejt fanellës kuq e zi. “Agjenti im është në kontakt me FSHF dhe po mundohen të gjejnë një zgjidhje. Mendoj që kualitetin tim e kam konfirmuar.”

Do ishte një histori e bukur për tu treguar. Po përse Shqipërinë? “Për të luajtur në Botëror dhe për ta fituar (qesh). Është një ëndërr për mua të përfaqësoj Shqipërinë”, vazhdon ai.

8 vite me fanellën e Barcelonës dhe dy faza përgatitore nën drejtimin e Pep Guardiolës dhe Tito Vilanovës. Shumë ka për të treguar lojtari që është stërvitur me lojtarë si Messi, Xavi apo Iniesta, por tani është e shkuar. “Ishte një kohë shumë e bukur.”

Mbase një kohë akoma më e bukur e pret në të ardhmen, duke u rikthyer të përfaqësojë vendin e të parëve të tij.

You must be logged in to post a comment Login