A janë zgjedhje meritokracie?

aSport – Fytyra e Berat Gjimshitit pas lënies jashtë nga lista e 23 lojtarëve që udhëtoi për Francë nuk harrohet lehtë. Mbrojtësi kishte kontribuar mjaftueshëm në kualifikimin e Shqipërisë, por forma e tij jo e mirë fizike dhe minutat e pakta e lanë jashtë Euro 2016. Ky ishte shpjegimi i trajnerit asokohe. Edhe pse në listë u gjenden lojtarë në situatë të ngjashme me mbrojtësin, shpjegimi u pranua dhe ishte i justifikueshëm.

Gjimshiti e ka kaluar atë fazë, ka bërë paraqitje të mira si për Avellino-n edhe për kuq e zinjtë në sezonin e ri, por situata e përzgjedhjeve qëndron e njëjtë. Nga lista për ndeshjen me Izraelin janë lënë jashtë Cikalleshi e Kaçe, njëri për arsye mos aktivizimi e tjetri për zgjedhje personale. Por kushti i përdorur tek Cikalleshi nuk është përdorur njësoj edhe tek lojtarët e tjerë. Për shëmbull sulmuesi i Basaksehir ka luajtur vetëm 248 minuta këtë sezon, por ai që e zëvëndëson, Edgar Çani, ka luajtur vetëm 100 minuta më shumë në Serie B, duke ardhur çdo sfidë nga stoli.

E njëjta situatë edhe në mesfushë. Ergys Kaçe ka luajtur 650 minuta këtë sezon në Çeki, por Migjen Basha numëron vetëm gjysmën e tyre në Serie B dhe Andi Lila po të njëjtin minutazh me të në Greqi. I shumë përfolur ngelet edhe roli i Ermir Lenjanit, i cili jo vetëm është në stol tek Rennes, por ka luajtur vetëm 24 minuta. Shumë pak për të quajtur formë optimale.

Për tu diskutuar ngelet edhe nëse nga ana cilësore, trajneri ka lojtarë më të mirë apo të përshtatshëm për të për t’i zëvëndësuar. Megjithatë, pyetja kryesore është : Në varësi të çfarë kushtesh bëhen përzgjedhjet?

You must be logged in to post a comment Login