Hysaj në mes të luftës mes të mëdhenjve

aSport – Merkatoja më e nxehtë në nivelet e larta të futbollit europian bëhet për krahët e mbrojtjes. Kjo sepse tregu i futbollit modern nuk ka prodhuar akoma mbrojtës krahu të nivelit më të lartë dhe, ata pak që janë, janë rezervuar nga klube, të cilat nuk i lënë lehtë xhevahirët e tyre.

Për këtë arsye shumë ekipe kanë kthyer sytë nga talentet dhe, mes tyre është dhe emri i Elseid Hysaj. 22-vjeçari i kombëtares shqiptare është lidhur prej kohësh me disa ekipe të mëdha dhe duket se rinovimi i kontratës me Napoli-n nuk i ka dhënë fund diskutimeve. Së bashku me Serge Aurier, Joao Cancelo dhe Nelson Semedo, Hysaj është një prej emrave që lidhet më shpesh me radarët e të mëdhenjve të Europës.

Emri i fundit është i Manchester United dhe, pavarësisht se spekullimi nuk duket shumë i besueshëm (pretendohet se dihet vlera që ekipi anglez mendon të ofrojë), një interesim i mundshëm nuk bën aspak çudi. Në ndeshjet e Napoli-t ka prej kohësh shumë zbulues dhe disa prej tyre janë pikërisht për shkodranin në stadium. Disa emra klubesh, të zbuluara prej listave zyrtare janë Bayern (interesimi dihet por nuk u konkretizua), Barcelona, Manchester United e Chelsea.

Vetë agjenti Giuffredi ka folur sot dhe ka lënë shumë gjëra të hapura : “Është periudhë e qetë pasi sapo kemi rinovuar. Nuk jam pro lëvizjes së një lojtari në merkaton e dimrit, por nëse vijnë oferta të mira duhet ti marrim parasysh.”

Mbase askush nuk dëshiron të kryejë një transferim që në janar, por duket se e ardhmja për Hysajn është në futbollin e madh, edhe pse klauzola me Napoli-n është plot 50 milionë euro.

You must be logged in to post a comment Login