Gomonia, Serie D dhe tani krye “topçiu” i Europës, Azdren Lullaku rrëfen ngjitjen e madhe

aSport – Portali i gazetarit të njohur sportiv Gianluca Dimarzio i kushtoi dje një hapësira të madhe intervistës me atë që konsiderohet si sulmuesi më në formë i Europës për momentin. Flasim për Azdren Llullakun, i cili tregon me qetësi ngjitjen e madhe të karrierës të tij që nisi ngë një jetë e… dytë. “Cilën histori doni që t’iu rrëfej. Preferoni ato të trishtat apo ato me fund të lumtur”, ishte batuta e sulmuesit që këtë sezon me Gaz Metan-in, ka shënuar 12 gola në 14 takime.

Gomonia – Sulmuesit të përfaqësueses shqiptare i është dashur që të largohet nga Kosova gjatë luftës të vitit 1999 dhe si shumë të tjerë, përshkroi Adriatikun me gomone. Këtë eksperiencë mjaft të veçantë të jetës së tij ai e ka treguar duke përdorur kto fjalë: “Çdo ditë mendoj për atë udhëtimin me gomone nga Vlora në Bari, ishte viti 1999. Në ato vite, gjithçka organizohej nga mafia shqiptare, isha bashkë me nënën dhe vëllain tim. Niseshin me mijëra. Do të qëndrojë gjithmonë brenda meje fakti se nëse do të isha nisur një natë më para… nuk do t’ia dilja. Vdiqën të gjithë”.

Jeta e… dytë – “Italia më ka dhënë shumë, sidomos mundësinë që të rritem si person, përveçse si lojtar. Italia më ka dhënë një vend ku të jetoj, ndaj për mua është gjithçka. Në Kosovë luaja vetëm në shkollë. Skuadra ime e parë e vërtetë e futbollit ishte ajo e fëmijëve të Vallata 1999, kur isha 13 vjeç. U ngjita pas pak kohësh në Kategorinë e tretë edhe pse nuk dija asgjë për kategoritë apo si funksiononin gjërat. Imagjinojeni që më zbuluan kur po luaja në kalçeto me shokët e mi. Pas tre vitesh shkova në Conegliano (i përkiste ligës amatore) dhe prej aty në Serie D. Sipas rregullores, nuk mund të regjistrohesha me një skuadër të kategorisë më të lartë se ajo D, pasi isha ekstrakomunitar (person i lindur në një shtet jo të BE-së). U mundova një herë me ndihmën e avokatëve që të ngjitesha në C2, por ishte e pamundur. Edhe pse disa ia dilnin, gjë që tregon se ligji nuk është i njëjtë për të gjithë”, tha futbollisti.

Rumania – Përtej peripecive të fillimit sulmuesi tregoi se një person në veçanti i dha një mundësi për të ecur edhe më shumë përpara. “Një menaxher më pyeti nëse isha i interesuar që të shkoja të bëja një provë në Rumani. Në atë moment nuk u mendova dy herë dhe thashë po, këtu nuk kisha asnjë mundësi. Gaz Metan më mori menjëherë dhe që nga ai moment mund të them që jam i kënaqur me zgjedhjen time”, tha 28-vjeçari që tani po shkëlqen në Rumani me Gaz Metan-in. “12 gola në 14 ndeshje është me të vërtetë një rezultat i mirë, jam i lumtur pasi është një moment i rëndësishëm i karrierës time”, përfundoi sulmuesi i cili ka një ëndërr të madhe.

E ardhmja – “Kam një kontratë këtu në Rumani deri në fund të vitit, dëshira ime është që të kthehem një ditë të luaj në Itali, e kam menduar gjithmonë. Aty kam familjen time dhe nëse vazhdoj të shënoj, gjë që shpresoj ta bëj, shpresoj të sistemohem në një skuadër të mirë. Do të ishte shumë e bukur. Botërori me Shqipërinë? Është një ëndërr shumë e madhe edhe vetëm po ta imagjinosh, por nuk i dihet kurrë. Ndërkaq, në mars shpresoj të jem në fushë për Itali-Shqipëri, do të jetë një moment i madh”, përfundoi tregoi futbollisti.

You must be logged in to post a comment Login