Gjici “sinjale” Gegës: Trajneri të lidhë lojtarët

Kukësi është ndër skuadrat që ka ndryshuar më shumë gjatë merkatos së verës, ku ndryshimi në stafin teknik ku drejtimi iu besua trajnerit Skënder Gega, u pasua me 30 lëvizje lojtarësh, 16 në hyrje dhe 14 në dalje. Kështu që Kukësi është bërë nga e para dhe këto ndryshime të shumta kanë dhënë ndikimin e tyre që në fillimin e kampionatit, pasi skuadra akoma nuk e ka gjetur harmonizimin. Pas dy javëve të para Kukësi mbetet skuadra e vetme në Kategorinë Superiore që shifrën zero e ka te pikët e grumbulluara dhe te golat e shënuar. Në start skuadra e Gegës është mundur nga rivalët direkt, Tirana dhe Partizani me të njëjtin rezultat, 2-0. Presidenti Safet Gjici ka mbetur tej mase i zhgënjyer nga paraqitja dhe rezultati që skuadra e tij bëri dje ndaj Partizanit.

Presidenti në prononcimin të dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport” dha edhe arsyen se ekipi nuk funksionon, ku lojtarët e rinj akoma nuk janë lidhur me njëri-tjetrin. Në fund ai jep edhe një mesazh për trajnerin, që sipas Gjicit i takon të zgjidhë ngërçin që kanë lojtarët në moslidhjen me njëritjetrin. “Jam shumë i zhgënjyer me ndeshjen ndaj Partizanit. Çfarë nuk shkoi? Janë lojtarë të rinj dhe të palidhur në lojë me njëri-tjetrin. I takon trajnerit ta zgjidhë këtë gjë”, u shpreh presidenti i Kukësit, Safet Gjici, për gazetën pas humbjes së djeshme në “Loro Boriçi”.

Kalendari ka qenë “flakë” për Kukësin në start, pasi pas dy kryeqytetasve në javën e tretë luan në transfertë ndaj Teutës, një tjetër rival për titull.

Gjasula: Jam një nga liderët e Kombëtares, do të jem i pranishëm në ndeshjet e nëntorit

“Gradohet” kapiteni i U17, merr ftesë nga ekipi i shpresave