Gjasula: Jam një nga liderët e Kombëtares, do të jem i pranishëm në ndeshjet e nëntorit

Mesfushori i Kombëtares, Klaus Gjasula ka dhënë një intervistë për supersport. Gjasula pyetjes së gazetarit nëse do të jetë i pranishëm në ndeshjet e nëntorit, i është përgjigjur “Po, do të vij në Tiranë ditën e martë dhe ndoshta nuk do jem gati për miqësoren me Kosovën, por do të jem në dispozicion të trajnerit për sfidat ndaj Kazakistanit e Bjellorusisë. Këtu ka një rregull, që kur kthehesh nga një vend tjetër, duhet të futesh dy javë në karantinë, por unë kam rënë dakord me drejtuesit e klubit që të vij edhe me këtë kusht, pasi Kombëtarja ka dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe e mora parasysh që do humb një apo dy ndeshje me Hamburgun.

A jeni gati të merrni një rol lideri në Kombëtare?
Unë mendoj se jam një nga liderët e skuadrës kombëtare, për vetë moshën që kam dhe eksperiencën. Bashkë me disa të tjerë aty, jemi liderë dhe na takon neve që të udhëheqim skuadrën në fushë. Ndonjëherë kemi bërë edhe gabime, por duhet të mbajmë kokën lart dhe t’u japim zemër edhe më të rinjve.

I keni ndjekur ndeshjet e Shqipërisë në tetor?
Po, i kam parë të dyja dhe kam vënë re që kemi dominuar ndaj kundërshtarëve. Në ato ndeshje kam kuptuar që ne i kemi të gjitha mundësitë të fitojmë ndaj tyre, pasi kemi treguar se jemi më të fortë.

Si e shihni procesin e rinovimit te kuqezinjtë?
Kemi shumë futbollistë të rinj e të talentuar, që luajnë nëpër Europë dhe që shumë shpejt do të jenë një vlerë e shtuar për Kombëtaren. Synimi ynë është të fitojmë dy ndeshjet e radhës, për ta mbyllur Nations League në vendin e parë në grup, por edhe po nuk ia dolëm, nuk është fundi i botës. Mund të them me bindje që vitet e ardhshme kanë për të qenë shumë të mira për Kombëtaren Shqiptare.

Lajmi i fundit: Mbrojtësi i Kombëtares humbet ndeshjet e nëntorit

Gjici “sinjale” Gegës: Trajneri të lidhë lojtarët