Gallatasaray inaguron akademinë në Kosovë

Asport Gallatasaray Kosova AkademiTalenteve shqiptarë të Kosovës u janë hapur dyert që t’i tregojnë vlerat e tyre. Këtë ua ka mundësuar shkolla e futbollit ‘Besëlidhja’ në bashkëpunim me gjigantin turk Galatasaray, që bashkërisht e hapën në Prishtinë shkollën ‘Galatasaray Kosova’. Synim i tyre është që në Kosovë të zbulojnë talente, që do të mund të zënë vend në Akademinë e Galatasarayt në Stamboll. Derisa futbollistët e Superligës së Kosovës thuajse e kanë të pamundur të bien në sy të klubeve të njohura evropiane, një mundësi e tillë u është ofruar grupmoshave të reja. Gjiganti i futbollit turk Galatasaray në të ardhmen në radhët e veta mund ta ketë edhe ndonjë futbollist nga Kosova.

Kjo pasi klubi i famshëm turk ka vendosur ta hapë shkollën e futbollit në Prishtinë ‘Galatasaray Kosova’ në bashkëpunim me shkollën e futbollit ‘Besëlidhja’. Marrëveshja e bashkëpunimit mes shkollës ‘Besëlidhja’ dhe asaj të Galatasarayt u finalizua të enjten në Prishtinë. “Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që tash e tutje do të bashkëpunojmë me Galatasarayn, pasi shkolla jonë tash e tutje do të quhet ‘Galatasaray Kosova’. Në këtë mënyrë miqësinë e madhe mes Turqisë e Kosovës dhe të dy popujve i bartëm edhe në sport”, tha drejtori i shkollës, Driton Bajrami, në një konferencë për media, në të cilën e pranishme ishte edhe zyrtarja e lartë e shkollës së Galatasarayt, Secil Uren. “Shkolla jonë gjendet në lagjen Kalabria në Prishtinë. Më 15 dhe 16 mars do t’i përzgjedhim 150 talentet më të mirë, me të cilët do të punojnë trajnerët e licencuar kosovarë. Puna do të bëhet konform plan-programit të Galatasarayt. Ndërsa, çdo vit talentet më të suksesshëm do t’i dërgojmë për t’u testuar në Turqi nga trajnerët e Galatasarayt”, theksoi ai.

Ndërsa, zyrtari tjetër i kësaj shkolle, Edon Dragidella, tregoi procesin nëpër të cilin ka ecur shkolla ‘Besëlidhja’, derisa është inkuadruar nën ombrellën e gjigantit turk. “Nga 13 nëntori i vitit 2011 kemi punuar në këtë drejtim, të cilin e kryem me sukses pas shumë kontakteve. Kohë më parë, trajneri i Galatasarayt na ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e shkollave të Galatasarayt. Prezent kemi qenë edhe ne kosovarët. Ai na bëri me dije se është duke e hartuar një projekt për zbulimin e talenteve, që titullohet ‘Në kërkim të luanëve të rinj’. Ky projekt do të na dorëzohet edhe neve në bazë të të cilit do të punojmë”, tha Dragidella, gjë që e pohoi edhe vetë Secil Uren. Ajo tha se Galatasaray është i kënaqur që tash e tutje është shtrirë edhe në Kosovë. Uren premtoi se klubi nga Stambolli Galatasaray shumë shpejt do ta ndihmojë financiarisht, por edhe me pajisje sportive shkollën ‘Galatasaray Kosova’.

You must be logged in to post a comment Login