Fitojnë Kukësi e Vllaznia, Partizani ndahet në paqe me Teuten

Në javën e 7-të të Kategorisë Superiore ishte dita e skuadrave udhëtuese. 3 fitore në udhëtim dhe vetëm Apolonia arriti të merrte tre pikët në shtëpinë e vetë teksa mposhti 1-0 Skënderbeun duke siguruar fitoren e parë. Fitore të thjeshtë me goelada për Vllazninë dhe Kukësin që u konfirmuan si dy skuadrat e momentit në kryesore dhe me meritë ndajnë mes tyre vendin e parë dhe të dytë, ndërkohë që pas 5 ndeshjesh në krye të Tiranës mori fitoren e parë Nevil Dede, me bardheblutë që u rikthyen te suksesi që pas atij triumfi ndaj Kukësit në javën e parë, teksa triumfuan 0-1 në një fushë të vështirë si ajo e Laçit. Vllaznia u konfirmua edhe njëherë tjetër se këtë sezon do të luftojë për objektiva madhorë, pasi ruajti vendin e parë në kuotën e 16 pikëve pas javës së 7-të, teksa arriti të fitonte në mënyrë spektakolare ndaj Kastriotit në Kamëz me shifrat 0-3, një fitore e thellë ndaj një ekipi që nuk kishte humbur më parë në këtë sezon.

Vllaznia e gjeti epërsinë pas vetëm disa sekondash me Dungan, ndërkohë që në të 18-ën Dilaver dyfishoi shifrat. Në fundin e pjesës së parë erdhi edhe goli i Besir Demirit që vulosi suksesin e shkodranëve. Shumë të thjeshtë e pati edhe Kukësi i Gegës në transfertën ballshiote ndaj Bylisit ku siguroi fitoren e 4-t radhazi në kampionat dhe u ngjit përkohësisht në vendin e 2-të me 13 pikë. Eze zhbllokoi shifrat pas vetëm 2 minutash lojë, ndërkohë që Ibraimi me një gol fluturimthi në pjesën e parë i çoi shifrat në 0-2.

Mori fitoren e parë në kampionat Apolonia që iu largua vendit të fundit falë suksesit 1-0 ndaj Skënderbeut në Loni Papuçiu, një fitore që erdhi me një gol të realizuar nga Gjata me penallti në minutën e 79-të.

Nuk ika fitues në krye-ndeshjen e javës së 7 të Kategorisë Superiore, përballjen mes Partizanit e Teutës, që u mbyll në barazim pa gola dhe dy skuadrat u detyruan të kënaqen me nga një pikë.

Pavarësisht reshjeve të shumta të shiut, terreni në gjendje të shkëlqyer i stadiumit “Elbasan Arena” krijoi kushte optimale për të zhvilluar një 90-minutësh mjaft të mirë, ku nuk munguan rastet për të dy skuadrat.

Partizanit arriti të godasë traversën pas një rasti me Solomon, që u lirua mirë brenda zonës, por nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë, ndërsa Teuta fitoi edhe një 11-metrsh, por Alban Hoxha reagoi mirë në gjuajtjen e Emiliano Vilës dhe mbajti portën të paprekur.

Ky ishte barazimi i 6 në 7 ndeshje për Teutën, që mbetet në kuotën e 9 pikëve dhe plot 7 pikë më pak se Vllaznia kryesuese, ndërsa Partizani ka zbritur në vendin e tretë me 12 pikë dhe javën e ardhshme do të përballet pikërisht me shkodranët në “Loro Boriçi”.

Kombëtarja U17 mëson kundërshtarët për Euro 2021

Ballkani fiton dhe nuk i ndahet Dritës, Llapi merr 3 pikë jetike!