Gjatë ditës së sotme janë konfirmuar dy raste pozitive me Covid 19 tek futbollistët e përfaqësueses së Kosovës, shkruan Insporti.
Fjala është për dyshen e mbrojtjes, Amir Rrahmanin dhe Mërgim Vojvodën të cilët pas rikthimit në Itali janë diagnostikuar me Covid 19.
Të dy ishin pjesë e skuadrës për ndeshjet e nëntorit, ku Kosova luajti tri takime ndaj Shqipërisë, Sllovenisë dhe Moldavisë.
“Dardanët” luajtën sfidën e fundit ndaj Moldavisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku pati disa lëshime në organizim nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ndeshje u zhvillua pa praninë e tifozëve në shkallët e stadiumit për shkak të situatës pandemike në vendin tonë me koronavirus, por megjithatë disa tifozë special ja arritën ta shikonin ndeshjen brenda stadiumit “Fadil Vokrri”.
Kjo kategori e priviligjuar, poashtu kishin leje për të hyrë në hapësirat e hotelit ku gjendej ekipi i Kosovës, duke qëndruar afër skuadrës pas përfundimit të ndeshjes.
Mosrespektimi i distancës fizike dhe mungesa e maskave në hapësirat e mbyllura janë faktorët kryesor të përhapjes së pandemisë, dhe ndonëse korelacioni nuk nënkupton domosdoshmërisht shkakun, një lëshim i tillë nga zyrtarët e FFK-së, është shumë i rrezikshëm.

FFK ditë më parë nuk kishte lejuar përcjelljen e konferencës së ndihmëstrajnerit, Muharrem Sahitit, për disa media duke cituar masat anti covid.