Fakic: UEFA na dëmtoi, në Evropë do kishim luajtur në grupe

aSport – Skënderbeu do të ishte kualifikuar në grupet e Europa League-s nëse UEFA nuk do ta kishte përjashtuar. Kështu mendon drejtori sportiv i korçarëve, Haris Fakic, i cili në një rrëfim ekskluziv për “aSport”-in jep një panoramë të hollësishme të kampionëve në prag të sezonit të ri.

“Mendoj se Skënderbeu i mungoi shumë Evropës këtë verë; i mungoi Shqipërisë si vend dhe kampionatit, por mungoi edhe si markë”, nënvizoi drejtuesi korçar. “Vitin e kaluar treguam se jemi të gatshëm për hapa edhe më të mëdha. Unë e kam thënë edhe herë të tjera se nuk ka ekip tjetër shqiptar që është në gjendje të përsërisë suksesin e Skënderbeut në Evropë. Pavarësish se mbetëm jashtë për arsye jokonkrete, pasi analizova kundërshtarët që fakikisht na ranë neve e jo Partizanit, mendimi im është se po të luanim ne do të ishim kualifikuar përsëri në grupet e Europa League-s. E kemi krijuar emrin dhe përvojën e nevojshme duke u përballur me shumë ekipe të mëdha. Mendoj se do të kishim shumë më tepër përparësi se Partizani dhe do të ishim kualifikuar përsëri”.

Në këtë aspekt, Fakic mendon se mungesa në Kupat e Evropës i dëmtoi kampionët e Shqipërisë, por sipas tij skuadra i ka të gjitha mundësitë të ringrihet: “Së pari na dëmtoi në aspektin financiar. Megjihatë nuk na ka hedhur përtokë; përkundrazi, na ka mobilizuar më tepër, me mbështetjen e një qyteti të tërë. Jemi angazhuar të gjithë për ta fituar sërish kampionatin. Jemi gati, e kemi plotësuar ekipin dhe jam i sigurt se do të jemi përsëri më të fortët. “Pavarësisht turbulencave që kemi pasur, normalisht Skënderbeu është një skuadër që pretendon për titull. E kemi arritur gjashtë vjet rresht dhe sigurisht që të njëjtin synim kemi edhe në sezonin e ri. Jemi një ekip që e njeh kampionatin, di si fitohet titulli dhe besoj se e kemi skuadrën për ta arriur përsëri”.

Afati kalimtar i verës solli ndryshime të rëndësishme në kampin korçar, me lojtarë të larguar e të tjerë që veshën fanellën bardhekuqe. Drejtori sportiv është besimplotë se këto lëvizje e kanë bërë Skënderbeun më të fortë se në sezonin e shkuar. “Skuadra ka pasur disa ndryshime – janë larguar disa titullarë dhe disa të tjerë që vjet nuk patën shumë hapësira. Gjithsesi, përkundër ndryshimeve, skeleti, pjesa kryesore e skuadrës ka mbetur. I kemi 4-5 futbollistët që e mbajnë ekipin në kurriz, ndërsa të afruarit janë provuar si në kampionatin shqiptar ashtu edhe jashtë. Skuadra ka plot elemente cilësore, dhe krahasuar me viin e shkuar, nuk mendoj se jemi më dobët, madje mund të them se jemi më të fortë”, tha Haris Fakic.

Duke analizuar merkaton në hyrje, ai shpjegoi: “Skënderbeu merr vetëm ata lojtarë që dëshiron t’i marrë. Mendoj se ne kemi përparësi, pasi futbollistët si nga brenda edhe jashtë vendit kanë dëshirë të na bashkohen. Kjo për shkak të asaj çka Skënderbeu ka arritur, emrit që ka krijuar në gjashtë vitet e fundit dhe ambientit të krijuar te klubi ynë. Ne si kryesi e kemi arritur atë çka kemi dashur në merkato dhe jemi përforcuar me synimin e përhershëm: titullin kampion”.

Një ndër largimet më të rëndësishme ishte trajneri Mirel Josa pas katër sezonesh plot suksese. Vendin e tij e zuri italiani Andrea Agostinelli, i cili, sipas drejtorit sportiv po bën një punë të mirë: “Josa pa dyshim ka lënë përshtypje të mira me punën që ka bërë te Skënderbeu. Nuk diskutohet që kemi respekt maksimal për të, por çdo punë, sado e mirë apo e keqe, e ka një fillim dhe një fund. Pavarësisht se Josa ishte i suksesshëm, menduam se ishte koha të bënim një hap tjetër. Vendosëm për një trajner italian, i cili ka sjellë metoda të tjera pune. Pas një bashkëpunimi më se dymujor, jemi shumë të kënaqur me mënyrën si e karikon ekipin, me dëshirën dhe entuziazmin me të cilin punon në Korçë. Është krijuar një mjedis shumë i mirë dhe kemi besim të madh te trajneri”.

Megjithatë, sezoni i ri nuk ka nisur në mënyrën më të mirë, pasi juglindorët u thyen 3-1 nga Kukësi në finalen e Superkupës së Shqipërisë. Por kjo disfatë nuk e shqetëson Fakic-in, i cili shprehet i sigurt se ekipi është në rrugën e duhur. “Pavarësisht humbjes, mendoj se skuadra jonë nuk nuk u paraqit keq. Rezultati jo gjithmonë pasqyron meritën e lojës. Mendoj se në atë ndeshje fati qe në anën e Kukësit, që me tri raste arriti të shënonte tre gola. Megjithatë mua më ngroh fakti që kemi një ambient shumë pozitiv në klub. Kemi arritur të bëjmë lojën tonë të zakonshme me shumë pasime. Skënderbëu luan një futboll të bukur e me shumë gola, dhe kështu do të vazhdojë”, theksoi ai.

Në rrugëtimin drejt titullit, drejuesi bardhekuq sheh një garë treshe, me Partizanin dhe Kukësin rivalë kryesorë. “Me aq sa e kam përcjellë merkaton e klubeve të tjera në përgjithësi dhe sa e njoh skuadrën tonë, mendoj se do të shohim një panoramë të ngjashme me atë të sezonit që shkoi. Do të jetë një garë treshe, me ne dhe dy ekipe të tjera e shumta”, përfundoi Fakic.

You must be logged in to post a comment Login