Duka: Me Anglinë shpresoj ta luajmë me tifozë, kemi marrë masa për fushën e “Air Albania”, Statuti…?

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për emisionin radiofonik “Paso” në Top Albania Radio, ku ka bërë një bilanc të shkurtër të vitit që sapo lamë pas dhe ka folur për investimin në stadiumin “Air Albania”, ndryshimet në statutin e FSHF-së dhe çfarë pret ai nga viti 2021 në aspektin sportiv.
Fillimisht kreu i qeverisë së futbollit e ka nisur intervistën me çështjen e pandemisë Covid-19 dhe ka uruar që të gjithë shqiptarët ta kalojnë sa më lehtë këtë situata dhe ti rikthehemi shumë shpejt normalitetit.

Pandemia – Duhet të jemi gëzuar që jemi mirë me shëndet në këto momente, në këtë vit të vështirë dhe të pazakontë, nga ana shëndetësore. Pra, e rëndësishme është të jemi mirë me shëndet në këtë vit të vështirë. Që nga janari jemi munduar t’i shmangemi Covid-19 dhe për fat të mirë shumica ja kanë kaluar paq, uroj të kemi sa më pak dëme, sa më pak të infektuar dhe aspak viktima. Edhe unë isha një nga të prekurit dhe faleminderit Zotit e kalova”.

Futbolli në 2021 – Uroj që në vitin 2021 të jemi gjithmonë bashkë dhe t’i ndajmë fizikisht të gjitha, të mirat dhe të këqijat. Duke qenë më pranë bashkë besoj se do të jemi më mirë e do të zhvillohemi më shumë.
Duhet të presim që ne t’i kthehemi normalitetit, në të gjithë aktivitetin shoqëror dhe futbolli si pjesë e tij. Të kemi një aktivitet, jo vetëm me protokolle më të lehtësuara, pra larg kufizimeve që na solli Covid-19, me tifozë në shkallët e stadiumit, me sportistë që në njëlloj mënyrë mund të stërviten dhe përgatiten më lirshëm dhe të kenë mundësi të japin maksimumin e tyre. Unë uroj që këto të kthehen. Kur të kthehemi në normalitet, ne na presin aktivitete shumë të rëndësishme ndërkombëtare në mars, për të filluar me eliminatoret e Botërorit, me ndeshjen e parë me Andorrën, me një ndeshje shumë të bukur në Tiranë kundër Anglisë në 28 mars, që uroj shumë ta kemi edhe stadiumin plot dhe pse jo të bëjmë një rezultat historik, kundër Anglisë.

Fusha e “Air Albania” – “Air Albania” do të ketë një fushë perfekte për vitin 2021. Do të fillojnë përgatitjet që në janar. Kemi marrë masat për disa ndryshime teknologjike të domosdoshme për atë lloj impianti. Nuk do të ndërrohet fusha deri në mars, sepse fizikisht është e pamundur të ndërrohet, por do të bëhen një sërë shërbimesh të tjera për të përmirësuar kualitetin e saj dhe për të pasur një gjendje optimale në mars dhe për të pasur një gjendje perfekte në qershor.
Nuk do ta ndërpresim aktivitetin në fushën e “Air Albania”, sepse kemi marrë masa për përmirësimin e asaj që është, nëpërmjet një sistemi artificial ndriçimi, për të zëvendësuar rrezet e diellit dhe për ventilimin, jo se do të ndërhyjmë fizikisht për zëvendësimin e fushës. Pas ndeshjes me Anglinë, do të bëjmë zëvendësimin e fushës me fushë të re për të luajtur në qershor me fushë të re në Kupat e Europës.
Investimi është shumë i madh, qoftë sistemi i ndriçimit, sistemi i ventilimit apo edhe bari hibrid, është investim shumë i madh, diku 800-900 mijë euro. Ndihmë nga qeveria? Jo, nga qeveria nuk kemi ndonjë shpresë në këtë drejtim. Ne kemi bërë përpjekje me UEFA-n, duke qenë se stadium është përcaktuar për zhvillimin e finales së UEFA Conference League 2022. Kemi kërkuar një ndihmë për përmirësimin e fushës. Pavarësisht se nuk ka një vendim për të na financuar, ne do ta fillojmë me financimet tona, por kam besim që UEFA do të na mbështesë në këtë financim.

Ndryshimi i statutit – Dokumenti kryesor i rregullimit të jetës së një organizatë është statuti. Është kushtetuta e një organizate, e cila padyshim ka pësuar ndryshime të herëpashershme edhe në Federatën e Futbollit, si çdo organizatë tjetër që kërkon të ecë me hapat e kohës, por edhe me hapat e partnerëve. Dhe nën udhëzimet e FIFA-s, për të njehsuar statutin me të gjithë federatat botërore, kemi bërë ndryshimet dhe përshtatjet në statutin e Federatës së Futbollit, që unë dhe të gjithë specialistët jemi munduar t’i informojmë e sqarojmë në Asamble. Kanë të bëjnë me përafrimin, padyshim në përputhje 100% me legjislacionin shqiptar, në përputhje me statutet tip të FIFA-s dhe federatave botërore, me ndarjen e pushteteve apo dhënien e më shumë pushteti Asamblesë së futbollit sesa organeve drejtuese, siç janë Komitetit Ekzekutiv apo administrata. Përfaqësimin e të gjithë aktorëve të vendit në organizatë, pasi në statutin e vjetër një pjesë e tyre ishin në një lloj mënyre të papërfaqësuar, si futbolli i fëmijëve, i femrave apo ai i futbollit amator. Kushdo që luan futboll e gjen veten pranë Federatës tashmë.
E vetmja kompetencë që ka Presidenti në vendimmarrje është të propozojë stafet e ekipeve kombëtare dhe Sekretarin e Përgjithshëm dhe ky propozim duhet miratuar nga Komiteti Ekzekutiv. Emërimi i trupave të drejtësisë më parë kanë qenë kompetencë e Komitetit Ekzekutiv, ndërsa me statutin e ri duhet të miratohen në asamble. Ka pasur disa abuzime në opinionin publik për ndryshimet në statut. Ai nen i statutit që thotë se presidenti i FSHF-së, duhet të jetë rezident në Shqipëri, ka qenë aty dhe nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Pra, statusi nuk pengon askënd të kandidojë, as personat që nuk banojnë në Shqipëri në momentin e kandidimit, por sigurisht statuti të detyron të jesh rezident në Shqipëri në momentin e ushtrimit të detyrës dhe është normale që presidenti i FSHF-së duhet të jetojë në Shqipëri. Nuk ka asnjë ndryshim, është një ‘fake-news’ i qëllimshëm.

Pavarësia politike – Për sa i përket politikës, kjo nuk është shpikje shqiptare, është në të gjithë botën, futbolli tenton të ndahet nga politika, të ketë sa më pak aktorë politikë në drejtimin e organizatave sportive dhe statuti jonë ka pasqyruar të njëjtën gjë, që personazhet politike të mos jenë në poste drejtuese të Federatës së Futbollit. Jo vetëm të FSHF-së, por kjo do të shtrihet edhe në anëtarët e saj. Nuk kam qenë asnjëherë pro për të patur personazhe politik në futboll, por unë gjithsesi kam garuar me personazhe politike dhe më pëlqen gara me to.
Procesi i përgatitjes së ndryshimeve në statut ka nisur thuajse qysh në muajin janar, duke u shpallur fillimisht arsyet e ndryshimeve, duke diskutuar me të gjitha grupet e interesit për muaj me radhë. Nuk janë ndryshime që ndodhën brenda një dite. Janë ngritur grupe pune me specialistët të FIFA-s dhe UEFA-s, me specialistët tanë dhe ka qenë një proces i gjerë diskutimi paraprakisht. Për të ardhur deri te drafti final janë bërë shumë konsulta e propozime nga të gjitha palët.

Tirana arrin marrëveshje me top sulmuesin nga Maqedonia e veriut

Tifozat Kuq e Zi mbushin 17 vjet